TIRANË

Seanca për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri është shtyrë sërish pasi gjykata ka kërkuar dokumente që Prokurorët e çështjes Tahiri nuk i kishin. Këto detaje i ka bërë të ditura për mediat vetë Tahiri, i cili tha se prokuroria ka kaluar çdo limit me zgjatjen 5 herë të hetimeve.


“S’kam komentuar asnjë veprim të prokurorisë por pres që t’i shkojë drejtësisë deri në fund. Unë kam pritur dhe do pres deri në fund pavarësisht se gjithçka që po ndodh e ka kaluar çdo limit të paarsyeshëm. Një gjendje e tillë mjegullnaje nuk mund të vazhdojë dot më. Pavarësisht se hetimet janë zgjatur 5 herë është e para herë që kërkoj të mos ndodh më. Ka kaluar çdo afat të arsyeshëm”, deklaroi Tahiri.



Ish-ministri u shpreh se drejtësia e vonuar nuk është më drejtësi.
“Në qoftë se kjo ndodh me mua, imagjino me njerëzit që kanë 1 mijë halle dhe nuk gjejnë të drejtën. Nëse kjo ndodh me mua por me ata njerëz që përplasen në dyer e gjykatave? Nuk mbahem peng nga askush, kam respektuar drejtësinë pavarësisht se është sakrificë nga ana ime. I kam respektuar sepse besoj se çdo vendim edhe si pasojë e deklaratave të mia është vendim jo i drejtë. Kam heshtur në respekt e pastaj do flas”, theksoi ish-ministri.

Ai deklaroi se kjo çështje ka kaluar çdo limit të arsyeshëm. “Nuk kishte asnjë sekret ma besoni. Ju keni aq shumë mesazhe në telefonat tuaj nga prokurorët, sa nuk ka më sekret. Unë sigurisht i kam dhe mund t’i bëj publike. Gjykata kërkoi dokumentet që prokurorët nuk i kishin dhe u shty për të hënën.
Unë akuzohem për trafik ndërkombëtar droge dhe grup i strukturuar kriminal dhe ndërkohë në Itali prokuroria antimafia dhe gjykata ka thënë që nuk ka lidhje ky njeri. Kurse këtu vazhdon e zgjatet sepse kam frikë se nuk dinë si ta mbyllin. Prokuroria reagoi për nxjerrje hetimi javët e fundit, ishalla nuk je vënë ti nën hetim por pres dhe në rastin tim të bëjë të njëjtën gjë”, tha Tahiri.

Ai u shpreh se nuk e ka humbur durimin dhe do presë vendimin e prokurorisë dhe gjykatës dhe se çdo njeri merr faturën që i takon.
“Di të them që nuk e kam humbur durimin, unë do të pres deri në fund çdo vendim të prokurorisë dhe gjykatës por realisht e ka humbur sensin. Kur kjo ndodh me mua, po me njerëzit që nuk kanë mundësi”, tha ai.

I pyetur se a do publikohen mesazhet e prokurorëve për të cilat foli, Tahiri u shpreh se ka kohë për të gjitha. “Në këtë vend që jemi ne, nuk kalon njeri pa marrë faturën që i takon”, tha Tahiri.

(m.k/BalkanWeb)