TIRANË

Sekretari organizativ i PS, Arben Pëllumbi foli për mediat pas votimit për delegatët e Kongresit të PS në selinë qendrore. Ai tha se procesi ka filluar normalisht në 363 qendrat e votimit dhe se në selinë e PS voton njësia numër 8 ku po eksperimentohet votimi elektronik.

Pëllumbi theksoi se kishte votuar dhe vetë në të njëjtën mënyrë dhe se ishte një votim i thjeshtë. Ai ka sqaruar edhe disa pjesë të tjera të votimit. Ndërkohë që foli për Kongresin e PS, që sipas tij do të jetë në fund të muajit shkurt të vitit të ardhshëm.

“Procesi ka filluar normalisht në 363 qendrat e votimit. Ajo që është e rëndësishme për ta theksuar, sikurse e vutë re, këtu në selinë e Partisë Socialiste ku voton njësia numër 8, ne jemi duke eksperimentuar edhe disa mënyra të tjera të votimit, moderne, siç është votimi elektronik. Sapo votova në mënyrë elektronike, ishte një votim shumë i thjeshtë. Unë qëllimisht nuk u njoha me këtë proces edhe në fazën e provave për të parë a ishte i thjeshtë. Në këndvështrimin tim rezulton një proces i thjeshtë. Megjithatë do shikojmë rezultatet se si do implementohet kjo nga e gjithë strukturat e anëtarësisë së PS për t’ia sugjeruar më pas komisionit të reformës zgjedhore nëse është një proces në kohën e duhur apo jo. Nga ana tjetër kemi dhe një proces tjetër që po zhvillon një grup prej 100 vetësh të zgjedhur të njësisë 8, me votimin online. Ai ka filluar që ditën e premte”, u shpreh Pëllumbi.

Ai shtoi se në rast se dikush nga këta njerëz që ka votuar online paraqitet fizikisht dhe voton në mënyrë elektronike atëherë përparësia i kalon prezencës fizike, i kalon votimit elektronik.
“Në fund fare të këtij procesi do kemi dhe disa konkluzione në lidhje me këto dy forma të reja që ne jemi duke aplikuar sot.
Kemi lidhur një kontratë me Postat Shqiptare për votimin me postë që do ta shfrytëzojmë për emigracionin, për votimin e delegatëve që do të vijnë nga emigracioni por është një proces që do të ndodhë në javët në vijim meqenëse dhe delegatët që vijnë nga emigracioni do të përcaktohen në javët në vijim. Besoj që me të tre këto forma, përfshirë edhe votimin tradicional që e kemi në të gjithë pjesën tjetër të Shqipërisë, ne jemi duke testuar njëkohësisht dhe përgatitemi dhe për ndryshimet që duam në Kodin Zgjedhor duke treguar që ne si forcë politike jemi të hapur për të gjitha propozimet që mund të vijnë dhe të përgatirur për çdo lloj situate modernizimi të sistemit.

Për ne është shumë e rëndësishme që të kemi edhe votimin e emigrantëve. Emigrantët tanë janë një pjesë e rëndësishme e vendit sidomos kur vjen fjala për pushtetin lokal ata janë po aq të rëndësishëm sa ne që jetojmë këtu dhe në mënyrë të veçantë kur vjen fjala për pushtetin politik janë po aq të interesuar sa edhe ne që jetojmë këtu, kështu që edhe prezenca e tyre në votime nëpërmjet këtyre formave ndoshta do të bëhet më e lehtë”, tha Pëllumbi.

Gjithsesi ai shtoi se do t’i takojë komisionit të reformës zgjedhore për të gjykuar për këto aspekte. “Ne sot jemi duke testuar e të shikojmë si do jetë rezultati. Unë e kam ndjekur teknikisht procesin dhe besoj që teknikisht nuk duhet të ketë ndonjë problem. Gjithsesi është vullneti politik për të pranuar njërën formë ose tjetrën formë. Për sa kam ndjekur unë deri sot, të them të drejtën votimi online më pëlqen shumë”, tha më tej Pëllumbi.

I pyetur se kur do të mblidhet Kongresi i Partisë Socialiste, Sekretari organizativ tha se kjo do të vendoset në asamblenë e ardhshme kombëtare.
“Kongresi i PS do të vendoset në asamblenë e ardhshme kombëtare por besoj do jetë fundi i shkurtit”, deklaroi Pëllumbi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb