Pasi media denoncoi një ditë më parë disa nga shkeljet ligjore në procesin e përzgjedhjes së shefave të shërbimit në spitalin “Nënë Tereza”, sot dy ministritë e linjës kanë nxituar të shpallin një listë fituesish me 32 emra.

Deri një ditë më parë ministritë i kalonin përgjegjësinë njëra-tjetrës për një proces që duhet të ishte përmbyllur ligjërisht brenda vitit 2018.

Dokumenti i shpërndarë në rrugë elektronike nuk ka asnjë firmë apo vulë të asnjë prej ministrive përgjegjëse të Shëndetësisë dhe Arsimit dhe as emrat e dy titullarëve që kanë marrë vendimin.
Por nuk mbaron me kaq, pasi në listë janë vetë 32 shërbime nga 48 që ka QSUT.

E pyetur për këtë fakt ministria e Shëndetësisë sqaron se një numër çështjesh janë dërguar në gjykatë ndërsa në shumë shërbime ka patur mungesë të kanditatëve të kualifikuar sipas ligjit në fuqi, ç’ka nënkupton një proces të dytë përzgjedhje.

Burime për Neës 24 thonë se janë 4 procese të hapura në gjykatën administrative për parregullsi serioze para dhe gjatë procesit si dhe në vendimarrjen e QSUT.

Të njëjtat burime konfirmuan se nga dita e nesërme do të ketë padi të reja në gjykatë pasi shumë prej mjekëve të zhgënjyer nga procesi ishin në pritej të dokumentit zyrtarë.

Ankesat kryesisht lidhen me parregullsi në dokumentacion, si dhe shkelje të ligjit të arsimit të lartë për kriteret e kandidatëve garues si dhe emërime në kushtet e konfliktit të interesit.

Si shembull, rektori i universitetit të Mjekësisë, z.Arben Gjata është zgjedhur njëherazi edhe në postin e Shefit të Shërbimit të Kirurgjisë, e po kështu edhe zv. dekani i Mjekësisë, z. Durim Çela njëherazi shef katedre në universitet është përzgjedhur çuditërisht edhe në postin e shefit të Shërbimit të Imazherisë dhe Mjekësisë nukleare një shërbim kyç që më së pari përballon me imazheri urgjencat mjekësore. Po a mundet që shefi i shërbimit të jetë njëherazi në dy vende dhe në dy poste të ndryshme një pyetje që duhet t’i përgjigjet herët ose vonë titullarët e spitalit “Nënë Tereza”.

Në vend të transparencës së premtuar në nisje të garës, I gjithë procesi u zhvillua në mënyrën më hermetike të mundshme, në një kohë që në radhët e mjekëve vazhdon të përflitet se përzgjedhje nuk është bazuar në konkurs, por kanë qenë thjesht emërime.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: