Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë dhe anëtari i Kryesisë të PS Ditmir Bushati tha se emrin e Valdrin Pjetrit për kandidat nuk e ka rekomanduar ai.

Bushati theksoi se duhen filtra në parti, që persona të tillë të mos zgjidhen deri në funksione të larta, si kryetar i Bashkisë Shkodër.

Ndërsa, analisti Fatos Lubonja nënvizoi se Rama promovon “të fortët” sepse ata i sigurojnë votën.

Ditmir Bushati: Valdrin Pjetrin nuk e kam rekomanduar unë, por kjo nuk ka rëndësi. Unë kam, ndarë përgjegjësinë individuale me atë të përgjithshme. E dyta është që ne duhet të mbajmë përgjegjësinë që na takon. Unë i pari kam kërkuar ndjesë për këtë gjë, por kam kërkuar që PS t’i kërkojë ndjesë Shkodrës. Këtu nuk kishim ndonjë anëtar, por këtu kishim numrin një të një prej bashkive më të mëdha në vend dhe një prej qyteteve që ka lënë gjurmë në historinë e shtetit shqiptar. Në politikë edhe gabohet.

Personi në fjalë nuk ka ardhur nga karriera në PS. Nuk është as blasfemi që dikush që ka jetuar aty në Shkodër të bëhet kandidat. Unë mendoj se problem janë filtrat që të zgjedhim kandidatët. Duhet t’i japim më shumë peshë socialistit dhe jo ta thërrasim kur na duhet ne ta thërrasim. Duhet të bëjmë më shumë për komunitetin, r gjithashtu duhet të vendosim në funksionim edhe garën brenda në parti. Kush jemi ne që ta gjykojmë një person që kishte këtë problem. E para është vullneti politik dhe e dyta është sinqeriteti për raportin me të vërtetën dhe e treta si ka mundësi që ka guxuar të hyjë në politikë.

Fatos Lubonja:  Ne e dimë të gjithë se ai njeri që është zgjedhur aty është zgjedhur se ai të merr votën, të kontrollon Shkodrën dhe është realitet në Shkodër, thotë kryeministri juaj. Që domethënë që këto janë parti që janë krijuar nga të ashtuquajturit “të fortë’. Për mua ky është shkatërrimi që i ka ndodhur Shqipërisë. PS duhej të ishte parti e të varfërve dhe jo e biznesmenëve.

Kapet pas të fortit sepse është më efikase, se shqiptarë bagëti janë thotë, më duhen barinj në qytete dhe kështu e sundoj Shqipërinë. Ky është sistemi, ky është hall i madh. Bushati nuk guxon që t’ja përmendë emrin Edi Ramës këtu. Rama është numri njëshi që ka marrë këta persona. Një gazetar gjerman i kishte thënë se përse ke zgjedhur këtë të fortë, Rama ka thënë se ai më mbron votën. Unë mendoj se nëse Bushati nuk e ka propozuar, mundet Rama i ka thënë ky është dhe Bushati ka thënë okej. Ditmir Bushati duhej t’i thoshte jo. Këtu është problemi se nuk i themi dot jo liderit, Sali Berishës nuk i thoje dot jo, Ramës nuk i thua jo. Ose nënshtrojmë këtë sistem të fortësh në Shqipëri ose Europa do jetë si fasadë.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb