Nga: ASTRIT KOSTURI*

Të gjithëve na ra në sy që viti 2015 erdhi disi ndryshe. Erdhi si një vit i ndrojtur e paksa i ftohtë, jo vetëm prej temperaturave të ulëta që shoqëruan këtë ndërrim vitesh, por edhe për shkak të mungesës së entuziazmit dhe emocionit të festës, madje edhe i mardhur prej mungesës së dëshirës për të festuar. Gjithsesi, 2015-ta i ka hedhur tashmë hapat e parë në ngricën shqiptare, me atë ndrojtjen e një gruaje shtatzënë, që pret një lindje të vështirë për shkak të mbarsjes çerekshekullore, nga një politikë me shumë zhurmë e premtime, me shumë zhurmë për asgjë. Ndoshta, kjo ardhje e shfaqje gati vjedhurazi nëpër errësirën shumëplanëshe, të shpirtrave të zhgënjyer e të lodhur të shqiptarëve, do jetë Risia e Vitit Ndryshe për Shqipërinë e shqiptarët. Pra, gjithkujt i bëri përshtypje kjo mbyllje e njerëzve në atë familjaritetin e munguar, për shkak të fëmijëve, motrave, vëllezërve e të afërmve që mbetën në emigracion, dhe kjo vaktësi pa ngjyra feste në shpirtin e shumicës popullore (përjashto vitrinat llamburitëse dhe reklamat e shumta). Kjo ardhje e ftohtë dhe shfaqje e zbehtë e këtij viti, nuk ka nevojë për analizën e aparatçikëve dhe gazetarëve të paguar, për të parë fundin e këtij çerekshekulli të “demokracisë”, të këtij 25-vjeçari zhgënjyes që vjen sërish si viti i zgjedhjeve lokale, për kapitalizmin politik shqiptar dhe “principatat” e tij. Edhe ata pak emigrantë që erdhën në këtë ndërrim vitesh (edhe pse shumica e shqiptarëve ndihen emigrantë), konfirmuan atë që prej vitesh kemi ndjerë e thënë të alarmuar: jetën në krater të shqiptarëve, xhunglën e montuar kaq djallëzisht e pazgjidhshmërisht prej atyre, që në këtë hark kohor u bënë të fuqishëm e gati të pathyeshëm.

Ata ikën sërish, duke lënë këtu bindjen e tyre, që duhet të bëhet edhe bindja jonë, se në këtë 25-vjeçar të ëndrrave me “liri – demokraci”, nuk duhet t’i mbajmë sytë nga qielli apo nga padronët e politikës (Berisha – Rama – Meta etj., etj.), përderisa ngërçi politik dhe xhungla shqiptare nuk mund të ketë zgjidhje pa çmontimin në themel, të sistemit të korruptuar e primitiv alla shqiptar. Edhe pse nuk ka mbetur njeri në këtë vend pa e përdorur fjalën ‘xhungël’, kush nuk e njeh kuptimin e saktë të kësaj fjale (ju kërkoj ndjesë, por jo gjithçka mund ta dimë), le të përfytyrojë një koshere bletësh, ku ariu ka futur putrat e tij të buta e të rënda dhe mizat gumëzhijnë të acaruara, duke thumbuar njëra-tjetrën, ose një qafë mali me shkëmbinj të thepisur e një shteg ku kalojnë kopetë e egra, të trembura nga një egërsirë e madhe dhe, që nga turravrapi i tyre ato shkelin të dobëtin që rrëzohet, duke e çuar tërë kopenë në greminë. Në këtë kuptim (dhe fare e pakuptimtë), jeta e shqiptarëve sot është vënë në rrezik. Një rrezik i shfaqur, qëkurse ndiqnim verbërisht gjurmët e premtuara të “demokracisë”, si gjurmë që i humbëm qysh në hapat e parë të viteve ‘90, dhe që tani nuk dimë kë të dëgjojmë e kë të besojmë. Veçse, jemi në ikje ku të mundim, sidomos të rinjtë me ëndrra studimi e punësimi, sa më larg Shqipërisë, për të mbetur në qorrsokakun e ndjellë prej mashtrimit politik të përvitshëm, të zhveshur nga puna e prona, nga morali dhe ndjenjat njerëzore. Kush e ka kapur fillin e këtij “oktapodi” të horrave e kriminelëve, që tashmë nuk i kemi rrugëve, por në tempullin e përfaqësuesve të popullit, përpiqet të futet brenda kësaj gracke të stërmadhe, ku bëhen çdo ditë e çdo natë viktima dhe të papërshtatshëm të regjimit, në heshtjen e tyre mistike, pa klithma e pa zë! Ndërsa disa të tjerë, që nuk e shikojnë realisht dhe me objektivitet situatën në Shqipëri, ose janë verbuar prej përfitimeve e interesave, ose janë pjesë e problemit dhe për pasojë nuk u ka mbetur asnjë ndjenjë humane për të arsyetuar si njerëz. Pas kaq shumë vitesh, mbarë shoqëria shqiptare ka akoma të njëjtat probleme e sfida, dhe mbetet përsëri në gjumin e ëndrrave, në pritje të zgjidhjes së tyre, që në fakt gjithnjë këto halle e probleme shtohen e janë në rritje. Njerëzit rendin të ngazëllyer pas festave elektorale me muzikë e slogane të sheqerosura, për të “zgjedhur” të zgjedhurit e pushtetit, dhe jo për të refuzuar këto kandidatura e kërkuar të organizuar politikisht, rrugët dhe zgjidhjet politike më përpara. Në këtë mënyrë, “udhëheqësit politikë” e kanë humbur tashmë moralin për të drejtuar shoqërinë, për shkak të interesave të paskrupullta dhe aferave e lojës së tyre, në shahun e djallëzive e hileve në kurriz të një populli të tërë. Gjithë kjo makineri demagogjike, mbahet më këmbë prej themeleve të pista, ku luan paraja e nxjerrë prej grabitjes masive të pasurisë së grumbulluar në dekada nga djersa e shqiptarëve, prej rrëmbimit të pasurive natyrore (mbi e nëntokësore), si dhe prej zhvatjes sistematike të qytetarëve nëpërmjet ryshfeteve, abuzimit e korrupsionit galopant. Në një situatë të tillë, dhe mbi këto themele të pista, politika na çon në çdo dy vjet në zgjedhje. Në zgjedhjen e dallaveres dhe në emër të së keqes më të vogël, duke e çuar vendin dhe jetën e shqiptarëve, keq e më keq. Pra, ne shkojmë në zgjedhje edhe këtë vit, ose na çoni ju, “zotërinj”! Që populli të shkojë përpara kutive të votimit për të hedhur votën për ju e të pëlqyerin e klanit tuaj, për më të shkathëtin e më të zotin, për ata që nuk flasin asnjëherë për zgjidhje, por që dinë të premtojnë e gënjejnë ‘trendy’, për ata që ia kanë ndjerë lezetin pushtetit dhe që asnjëherë nuk u ndëshkuan e dhanë llogari.

Përmes kësaj farse demagogjike e çerekshekullore, Shqipëria është bërë vendi i pasigurisë dhe i frikës, i stresit dhe i humbjes së gjithçkaje, vendi i padëshirë për të jetuar, për shkak se vriten të pafajshmit, të aftët e ndershëm dhe gjithë shtresat e paprivilegjuara të shoqërisë. Pikërisht prej kësaj politike banale jeta është bërë lotari e biznes, ku brenda kësaj “burse” njeriu është bërë malli më i përçmuar e skarco, prej mashtruesve dhe sekserëve që kanë pushtuar vendin e shqiponjave, ku arsimimi e shëndeti i njeriut blihet me parà, ku shërbimet e huaja janë bërë zotër të shtëpisë, ku mbillen urrejtja e frika, ndarja e përçarja masive. Pra, as më shumë e as më pak, ballafaqimet elektorale janë bërë ndeshje bandash të veshura me politikë e pushtet, që perceptohen nga një pjesë shqiptarësh si “e drejtë e Salës” dhe nga një pjesë tjetër si “pafajësi e Ramës”. Janë demonstrim i thasëve me parà dhe i njerëzve të fortë, që më pas bëhen me detyra të larta shtetërore. Kjo përmbledhje e shkurtër më sipër, dhe të tjera që mund të rreshtohen pa fund, përbëjnë sinoptikën e sotme, situatën e zymtë, por të vërtetë në Shqipëri, pavarësisht përcjelljes së deformuar, madje si standard e luks, nëpërmjet mediave të pushtetit dhe zëdhënësve të tyre, manipulatorë të paguar mirë ose të graduar në poste e detyra të larta shtetërore. Kështu do ta raportonte situatën e sotme politike dhe atë social– ekonomike në Shqipëri, gjithkush që sot gjendet poshtë shkarkimeve fiziologjike të këtij pushteti (pozitë – opozitë) dhe shpurës së tij. Gjithkush që nuk bën pjesë në një nga oborret famëkeqe të politikës, dhe që ka vendosur të konkurrojë me vlerat dhe djersën e ballit të tij, por dhe gjithkush që i do shqiptarët dhe vendin e tij, duke mos i fshehur plagët e dhimbjet e këtij vendi, as përpara popullit të vet dhe as përpara të ashtuquajturve miq, që në realitet janë bërë miqtë e pushtetit.

Pra, në këto kushte, kur populli shqiptar është thuajse i gjunjëzuar tërësisht, kur ëndrra e tij ka arritur te korja e bukës dhe thesi i miellit, pushteti (pozitë – opozitë) me shtetin e tyre që ndërtojnë e fuqizojnë për klanet e tyre, na fton në zgjedhje, madje na ka shpallur edhe datën e tyre, si tallje e papërmasë ndaj sovranit që nuk i ka mbetur asnjë zë dhe asnjë mundësi tjetër veç refuzimit e kundërshtimit të lojës banale e demagogjike. Megjithatë, është pikërisht kjo situatë dhe kjo padrejtësi, që lind pakënaqësinë në rritje, por edhe vetëdijen qytetare e ndërgjegjen kombëtare. Vërtet, ndryshimet e viteve ’90 kërkonin pluralizmin dhe sistemin e shumë partive, që udhëheqja e kohës e pranoi këtë, por bashkë me këshillat e rekomandimet ajo mori edhe garancitë e gjithë atyre, që prej vitesh kishin punuar me të gjitha mënyrat për përmbysjen e jetës shoqërore të shqiptarëve, duke synuar edhe gllabërimin e Shqipërisë. Nga ana tjetër, këto ndryshime erdhën në një kohë kur thuajse gjithë popullsia e këtij vendi nuk ia kishte idenë dhe ishte e papërgatitur për këtë lloj demokracie liberale, që në thelb ka neodiktaturën, dhe tani gjithkush mund ta bëjë bilancin mes atyre që u premtuan dhe atyre që erdhën realisht.

Në këtë mënyrë, në krye të këtij kaosi ekonomik, ideologjik e politik ata arritën lehtësisht të grabisnin pasurinë e vënë me djersën dhe gjakun e një populli të tërë, duke u bërë propagandues të mashtrimeve e premtimeve të oligarkëve të huaj, të cilëve u interesonte dhe u intereson një Shqipëri tërësisht e rrënuar ekonomikisht, si një treg shitjeje e investimesh, me shqiptarët skllevër. Kjo kategori njerëzish, që erdhën në pushtet dhe që u vetëquajt klasë politike, po mban edhe sot e kësaj dite peng Shqipërinë e mjerimit të tejskajshëm, me një shtet që pritet me zell prej qytetarëve të vuajtur prej kaosit, por që pjesën kryesore të shqiptarëve (emigrantët) dhe masat e gjëra popullore nuk i ka në laps fare! Tashmë ustallarët e kësaj vepre antipopullore e dinë, se mënyra më e lehtë për të sunduar është vendosja e “rregullit pas kaosit”, gjoja puna në zinxhirin e krizave dhe antikrizave, skandaleve e “luftës kundër korrupsionit”, që ata vetë (pozitë – opozitë) nxisin e menaxhojnë, për të justifikuar qeverisjen, madje duke na i shitur edhe si suksese e arritje të “shtetit ligjor”. Por, kush janë këta që po bëjnë shtetin “tonë” ose më mirë me thënë, shtetin e drejtësisë dhe të barazisë së tyre pa thonjëza?! Si erdhën këta horra e kriminelë (siç thërrasin edhe vetë njëri – tjetrin) mbi kryet tona, për të na bërë shtetin?! Me pak vëmendje duhet të kujtojmë, se këta njerëz që erdhën përmes një demokracie bastarde dhe të deformuar tmerrësisht, nuk mund të bëjnë shtet për popullin, por vetëm mund të çimentojnë mekanizma e instrumente në shërbim të bandave të tyre, që në tërësi përbëjnë sistemin e krimit të organizuar, pavarësisht emrit fashizëm apo neofashizëm.

Pra, edhe në këtë vit zgjedhjesh, gjendemi përballë dilemës: Do të pranojmë zgjedhje e dallavere si gjithnjë, apo zgjidhje politike?! Dhe, zgjidhja e dilemës bëhet përmes zërit të organizuar popullor e politik, duke iu drejtuar atyre që u vetëquajtën politikanë e që në fakt mbetën siç ishin, sharlatanë: Çfarë do të bëni “zotërinj”, zgjedhje apo zgjidhjen e ngërçit politik?! Ju, do të vendosni kësaj radhe, përpara se populli (punëdhënësi juaj i vetëm), t’ua heqë karriget me forcë prej të ndenjurave! Debati politik, që shoqëria ka nisur tashmë, sjell në vëmendjen tonë emergjencën për të zgjedhur programet dhe idetë e progresit, përballë mjerimit, thërrimeve të borgjezisë dhe këtij nënshtrimi sistematik e të pashembullt. Koha thërret Bashkimin Politik të shqiptarëve! Sepse, në Shqipëri nuk mund të bëhet fjalë më, as për pluralizëm e barazi brenda sistemit, bile as brenda llojit të tyre, dhe jo më për demokraci për shqiptarët. Zgjedhjet brenda PD-së (ashtu si dhe të PS-së), treguan angazhimin e të dyja forcave politike, për t’u vendosur kryetarë partish në rrethe ata që duheshin për të dy padronët politikë, aq sa u angazhuan edhe strukturat e shtetit për t’iu hapur çështje penale vetëm për ato ditë kur demokratët ndërshtarë kishin guxuar të kandidonin pa lejen e të madhit të tyre.

Pra, PD–ja është bërë tashmë një maskë e dalë boje, që nuk mund të besohet më për asgjë. Ajo, mbas humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit të 2013-ës, zgjodhi rrugën e sulmit, shpifjeve, intrigave dhe shantazheve, duke menduar akoma, se sulmi është mbrojtja më e mirë, që mund t’i japë kohë e hapësirë artit të saj 24-vjeçar, mashtrimit! Të njëjtën rrugë, por me fjalë të tjera të gjetura në oqeanin e internetit dhe të dala prej shpirtit të përvuajtur të mjaft njerëzve, doli Edi Rama me të tijtë, me më të afërmit e fisit dhe me të besuarit e tij! Ashtu si më parë, sot ftohen “investitorët” e huaj për të marrë ambiente e kazerma me një euro, mbështeten e u jepen lehtësira pa fund trafikantëve dhe më të korruptuarve, që aktualisht “menaxhojnë” pasuritë, doganat dhe rrjepjen e shqiptarëve, madje kryeministri krenohet që pushteti i ka blerë dhe sindikatat. Duke i analizuar e vënë të gjitha deformimet e këtyre viteve në balancë, del emergjente largimi i kësaj klase politike të inkriminuar deri në qelizë, edhe për shkak të atentatit, që kjo elitë mafioze i bëri pluralizmit e demokracisë që ëndërruan shqiptarët, por që realisht mbetën të tallur e shpërfillur, teksa shohin votat e tyre të bashkohen në tavolinë. Gjithë ky teatër qesharak i zhvilluar në bazë e në qendër, nxjerr zbuluar marrëveshjet e pushtetit (pozitë – opozitë) dhe krahët e politikës, që janë dhe do mbeten NJË, për sa kohë nuk do ketë rezistencë të organizuar dhe politike! Nëse do mbretërojë akoma kjo apati e përgjumje, Kodi Zgjedhor, ky mekanizëm qesharak e banal, diskriminues dhe aspak demokratik, do të lihet në orët e fundit për t’u riparë e korrigjuar.

Kjo jo pa qëllim, por që populli të shkojë në zgjedhje i bombarduar prej zinxhirit të skandaleve pa fund, prej fjalëve, kërcënimeve e premtimeve, ndërsa partitë e pushtetit (PS, PD, LSI etj.), me dijeni e ujdi mes vetes të ndjekin skenarët e ndarjes së pushtetit në tavolinë. Ndoshta, populli i mërzitur dhe fatkeqësisht i çorientuar politikisht përballë kësaj anarshie, kërkon ujdinë e dy partive të mëdha, deri edhe shkrirjen e tyre (edhe pse politikisht janë dhe po bëhen haptazi një), pa menduar thellë se vetëm idetë e reja progresiste do ta çojnë vendin dhe shqiptarët te Drejtësia Popullore. Ky nuk është vetëm një rast shqiptar, por i njohur prej historive botërore, kur sundonin fenomene e shqetësime të tilla në shoqëritë e tyre, të cilat jo vetëm nuk e ndalën luftën për liri e progres, por duke i braktisur partitë fajtore ato zhvilluan idetë, synimet dhe qëllimet e larta njerëzore, si dhe kultivimin e politikës me mekanizma funksionalë e të kontrollueshëm, që ajo (politika), të mos mundet ta mashtrojë, manipulojë e zhgënjejë shoqërinë dhe individin! * Kryetar i “Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve”.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: