TIRANE- Në komunën e Medvegjës janë duke u mbajtur sot zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, ndërsa mediat atje raportojnë se të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë dhe po votohet qetësisht.

Ndërkaq mediat raportojnë për një situatë të tensionuar në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, në pikëkalimin kufitar të Mutivodës, ku shumë familje janë bllokuar për shkak të “prishjes së sistemit kopjuterik”.

Qytetarët thonë se po ndalohen qëllimisht, për të mos lejuar që ata të marrin pjesë në zgjedhje. Madje në shenjë kundërshtimi, qytetarët janë përplasur me policinë. Përveç autobusëve janë edhe rreth 200-300 vetura të bllokuara.

Në këto zgjedhje marrin pjesë pesë lista zgjedhore, tri serbe e dy shqiptare, ndërsa janë të regjistruar rreth 10.500 votues. Zgjedhjet lokale në Medvegjë janë shpallur nga presidentja e parlamentit të Serbisë, Maja Gojkoviç, pasi më 8 qershor, qeveria serbe shpërndau Kuvendin Komunal të Medvegjës. Arsye për këtë vendim të qeverisë ishte, fakti se nuk ishte mbajtur asnjë seancë e kuvendit komunal brenda afatit të paraparë ligjor.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: