Kambanat po ushtojnë përditë e më fort për reformën e shumëpritur zgjedhore, domosdoshmëri urgjente për përparimin e demokracisë dhe çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE; sidomos tani që zgjedhjet lokale po na trokasin te porta, të paraprira nga kriza më e re politike.

Sepse asnjë reformë tjetër, madje as ajo e drejtësisë dhe vetingu nuk mund të ketë besueshmëri dhe sukses afatgjatë pa zgjedhje vërtet të lira dhe të ndershme, prej të cilave dalin qeveria dhe organet e tjera të pavarura legjitime, që garantojnë funksionimin normal të jetës demokratike.

Por, kohët e fundit, në shumë takime dhe forume evropiane, prej rajonit dhe veçanërisht vendit tonë po kërkohet vëmendje e veçantë në dy aspekte jetike:

Së pari, është momenti që më në fund të kemi zgjedhje të lira dhe të drejta sipas standardeve të njohura ndërkombëtare, që të mos vazhdojmë të kënaqemi refrenin se ishin “më mirë se zgjedhjet e kaluara”.

Mirëpo, për të qenë të sinqertë dhe realistë, kjo është vështirësuar së tepërmi për shkak të përvojës negative zgjedhore të 25 viteve të fundit, sidomos të mungesës së transparencës mbi financimin e fushatave zgjedhore nga partitë politike, korrupsionit galopant, krimit të organizuar dhe politizimit të administratës publike etj., për pasojë, te ne janë shfaqur dukuri dhe fenomene të panjohura për komunitetin ndërkombëtar, madje edhe fqinjët tanë, si vjedhja/shitblerja e votës; tani dhe të huajt janë mësuar me këto terma, por në fillim ata ngrinin supet të habitur kur dëgjonin premtimin tonë se “do ta mbrojmë votën edhe me gjak”. Dukuritë e lartpërmendura i kanë kompromentuar rëndë zgjedhjet te ne, duke i zhveshur në një masë të madhe nga elementi “të lira dhe të ndershme”, duke i katandisur pothuajse në “votime” pluraliste me pasoja tashmë të njohura, me riciklime krizash dhe konfliktesh të ashpra që kanë penguar seriozisht përparimin, integrimin dhe imazhin e vendit.

Ndaj, reforma e tanishme zgjedhore nuk mund të mjaftohet me rregullime teknike e ca më pak kozmetike, apo vetëm në “germa”.

Në radhë të parë kërkohet që të jetë reformë për “frymën” e zgjedhjeve, të çliruara nga të këqijat e lartpërmendura, duke atakuar edhe vetë thelbin e saj, sistemin zgjedhor të vendosur në vitin 2009. Përvoja e 10 viteve të fundit, vërejtjet dhe rekomandimet e vazhdueshme të OSBE-së imponojnë drejtpërsëdrejti shqyrtimin kritik dhe ndryshimin e saj, nëse duam vërtet zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ndërkohë, sidomos kjo reformë kërkon konsensus gjithëpartiak dhe publik. Mirëpo në kushtet e tanishme të tensionimit të paparë politik mes opozitës dhe shumicës qeverisëse, kjo duket mision pothuajse i pamundur; ose në rastin më të butë kjo reformë mund të bëhet shkel e shko, sa për të kaluar radhën.

Shqetësimi i dytë madhor është se dhe (si)kur këto zgjedhje të zhvillohen vërtet të lira dhe të ndershme, edhe pse jo perfekte, sërish kjo nuk mjafton dhe nuk e imunizon demokracinë nga dukuritë negative. Përvoja evropiane e shekullit të kaluar ka plot shembuj që tregojnë se si nga zgjedhje formalisht të lira pluraliste kanë dalë liderë dhe forca antidemokratike dhe ekstremiste, të cilët kanë shkaktuar tragjedi botërore.

Por, edhe në ditët tona nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Itali, Austri dhe gjetkë kanë ardhur në pushtet forca dhe liderë populistë, ekstremistë dhe nacionalistë, të cilët më e pakta po kërkojnë të çmontojnë ose “ribëjnë” BE-në, të zëvendësojnë shtetin e të drejtës me “demokracinë joliberale”, etj. Këtu përfshihen edhe vende ish-lindore që kanë qenë në ballë të shembjes së mureve të komunizmit, hapjes së kufijve, ndërtimit të urave, aderimit në BE, NATO dhe në organizmat e tjera ndërkombëtare.

Kësisoj, vijmë në përfundimin tjetër as aderimi në BE dhe NATO nuk përbën më garanci për demokracinë, pavarësisht nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Sepse këto të fundit, edhe kur zhvillohen në perfeksion, nuk janë më “kura apo çelësi magjik” për zgjidhjen e problemeve të shumta që ka sot demokracia kudo dhe në vende më të zhvilluara e përparuara se vendi ynë, madje edhe themelues të BE e NATO-s.

Në këto kushte, garancia më e mirë është që duke vlerësuar drejt rëndësinë e tyre, këto zgjedhje të mos shihen dhe zhvillohen si qëllim në vetvete, e ca më pak të glorifikohen apo “shenjtërohen”.

Përkundrazi, ato duhet detyrimisht të paraprihen, shoqërohen dhe bashkëjetojnë në bllok me nëntë komponentët e tjerë të mishëruar dhe në Dekalogun e famshëm të Aktit Final të Helsinkit të vitit 1976 dhe në dokumente të tjera ndërkombëtare. Jo rastësisht zyra prestigjioze vëzhguese e OSBE-së për zgjedhje të lira ka një emërtim shumë më të gjerë “ODIHR” – Organizata e Institucioneve Demokratike dhe të Drejtave të Njeriut.

Hapi i parë i madh, sidomos nga çdo shumicë parlamentare është të mos e fetishizojnë votën, të mos e përdorë atë si “gjethe fiku” dhe “plumb” për kundërshtarin, si aureolë dhe plotfuqishmëri për të vepruar sipas qejfit/tekave dhe jo parimeve, me argumentin se “ne na ka besuar elektorati”. Dakord, por ama ai të ka besuar si alternativa më e mirë për zgjidhjen e halleve dhe problemeve, e jo duke anashkaluar e shkelur nëntë elementët e tjerë që sapo filluam t’i përmendim.

Gjithashtu, shumica parlamentare duhet të respektojë me të gjitha format opozitën, ashtu siç ajo është, shqiptare, duke e dëgjuar, duke i dhënë hapësirë dhe mundësi brenda dhe jashtë vendit, duke dialoguar me kulturë demokratike për të gjitha çështjet e sidomos për ato të anëtarësimit në BE, sigurisë së vendit e diplomacinë. Veçse me një gjuhë politike korrekte, pa etiketime dhe batuta ofenduese, insinuata, meme, barsoleta.

Natyrisht, edhe opozita duhet të shfrytëzojë këto mundësi duke konkurruar me programe dhe alternativa e jo duke u konfliktuar apo konfrontuar me vend e pa vend me shumicën parlamentare dhe për vetë emrin dhe rolin e kësaj të fundit.

E tepërt të zgjatemi në deficitet dhe shqetësimet tejet serioze në këtë fushë nga të dyja palët. Madje, hera-herës, siç po ndodh edhe tani, në vend të bëhet përpara ecet mbrapsht, edhe pse të dyja palët kanë përvojë të madhe si në pushtet dhe në opozitë. Sepse edhe opozita ka deficite të mëdha në këtë fushë që janë trajtuar gjerësisht në shtyp, duke filluar nga besueshmëria, forca e alternativave, metodat e punës dhe kohezionit brenda saj.

Gjithashtu, të dyja palët e sidomos shumica duhet të kufizojnë në minimum tendencat për penalizimin e njëri-tjetrit, duke “përmbytur” gjykatat me lumenj padish e duke zëvendësuar atë me debatin politik dhe publik e në bashkëbisedim me qytetarët.

Shtypi dhe media e lirë dhe e pavarur kanë luajtur një rol parësor në formësimin e opinionit publik. Dihen përparimet e shumta teknologjike në median tonë, por jo të shoqëruar sa duhet me përmbajtjen, pavarësinë dhe konstruktivitetin, duke bërë hapa mbrapa. Gjithsesi, krahas kujdesit dhe profesionalizmit të medias, luftës ndaj “fake news” etj., nuk ndihmon përgjithësimi me etiketime të papëlqyeshme dhe të papranueshme me frymën evropiane, sidomos kur kjo vjen nga agjenci dhe eksponentë qeveritarë.

Shoqëria civile dhe respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut përbën komponentin tjetër shtyllë të demokracisë. Veç Kartës të të Drejtave dhe Konventës dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, këto të fundit zënë një kapitull të veçantë në Kriteret e Kopenhagenit të BE-së. Katalogu i tyre është shumë i larmishëm, duke filluar nga e drejta e punës, pronës, jetës, sigurisë, arsimit, liria e grumbullimit dhe manifestimit paqësor, liria e shprehjes dhe mendimit dhe plot të tjera. Komponent themelor këtu është mosdiskriminimi për shkak të bindjeve të ndryshme politike, fesë, ngjyrës, racës, gjinisë etj.. Me gjithë arritjet e njohura, pengesat dhe problemet në këtë fushë janë një sfidë e madhe për përparimin e mëtejshëm të reformave demokratike. Protestat e fuqishme të studentëve gjatë këtij muaji dëshmuan se e drejta për arsim të lartë publik ka mbetur në letër.

Mbrojtja, respektimi dhe zhvillimi i të drejtave të pakicave etnike, gjuhësore etj., është treguesi tjetër jetik i demokracisë. Vendi ynë në këtë drejtim ka krijuar një përvojë pozitive, “në frymë dhe në germa” që krahasohet, madje në shumë raste ua kalon dhe disa vendeve anëtare të BE-së, ndërsa lidhur me bashkëjetesën fetare është model i njohur ndërkombëtarisht. Dihen tashmë përpjekjet për t’i kthyer pakicat në ura lidhjeje, bashkëpunimi dhe miqësie. Nuk ia ka arritur gjithnjë për shkak të disa qarqeve të caktuara ekstremiste të huaja që vazhdojnë t’i përdorin pakicat dhe fenë si blloqe penguese, si vatra për kriza dhe konflikte sa herë ua kërkojnë interesat e brendshme apo të segmenteve ekstremiste që bien ndesh me frymën evropiane.

Ndarja e pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe atij gjyqësor ka qenë dhe mbetet ndër sfidat kryesore të dekadave të fundit. Sidomos pavarësia e pushtetit gjyqësor dhe drejtësisë në përgjithësi dhe transparenca e kësaj të fundit. Sepse populli kërkon jo vetëm të bëhet drejtësia, por edhe të shihet që ajo po bëhet. Procesi i vetingut dëshmon për problematikën ulëritëse në këtë fushë deri tani dhe nevojën që krahas përshpejtimit të kësaj reforme dhe ngritjes sa më parë të organeve mbikëqyrëse përkatëse të ketë dhe besueshmërinë e duhur mbipartiake.

Vërtet siç pohojnë dhe të huajt ka rritje të numrit të arrestimeve, por puna matet me dënimet konkrete dhe mbi të gjitha me dhënien e drejtësisë. Madje, në vend të shprehjes së rëndomtë “arrestime dhe burgime” është më e drejtë të përdoret termi “t’i jepet drejtësisë, të bëhet drejtësia”.

Kjo e fundit është vendimtare për lirinë dhe demokracinë e vërtetë dhe funksionale.

Kësisoj, shteti i të drejtës do të zbatohet drejt në praktikë, jo thjesht si shtet ligjesh, por sipas parimit se “ligji sundon mbi të gjithë njëlloj”.

Si përfundim, në kushtet e tanishme, kur opozita ka shkuar në ekstrem duke “djegur” kolektivisht mandatin e deputetit, zgjedhjet e ardhshme vendore dhe të përgjithshme, të pashoqëruara e të pagarantuara me nëntë komponentët thelbësorë të lartpërmendura mund të kthehen, siç ka ndodhur edhe më parë, në kriza, farsa dhe zgjedha të vërteta, me pasoja të pariparueshme për shtetin, shoqërinë dhe të ardhmen tonë Euro-Atlantike./Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: