ANKARA-Më 24 qershor të këtij viti në Turqi do të mbahen zgjedhje të parakohshme presidenciale dhe parlamentare, njoftoi presidenti i vendit, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA). Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme nga presidenti Erdoğan erdhi në një konferencë për media pas një mbledhjeje në rezidencën presidenciale në Ankara me kryetarin e partisë opozitare Lëvizja Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli, i cili dje bëri thirrje që vendi të shkojë në zgjedhje të
parakohshme.

“Sot zhvilluam takim mjaft të frytshëm me kryetarin e Partisë Lëvizja Nacionaliste, Devlet Bahçeli”, tha Erdoğan. Ai tha se Turqia solli ndryshime të sistemit qeverisës pas referendumit të mbajtur më 16 prill të vitit 2017, duke thënë se dispozitat në lidhje me sistemin presidencial do të hyjnë plotësisht në fuqi pas zgjedhjeve të para që do të mbahen. Erdoğan tha se Turqia pas 16 prillit ende qeveriset me një sistem, i cili, siç theksoi ai, mund të thuhet se tanimë është “i vjetër”.

“Edhe pse duket se nuk ekziston asnjë problem, meqë presidenti dhe qeveria punojnë në harmoni, mangësitë e sistemit të kaluar mund të shfaqen para nesh në çdo hap që hedhim”, deklaroi Erdoğan.
“Përkundër kësaj, preferenca jonë ishte që të durojmë deri në zgjedhjet që ishin planifikuar për në nëntor të vitit 2019, në përputhje me zotimin që ia kemi thënë popullit. Megjithatë, operacionet në Siri, ngjarjet me rëndësi historike në vendin tonë me qendër në Siri dhe Irak, e ka bërë të detyrueshme që Turqia t’i tejkalojë sa më parë pasiguritë. Për t’i kuptuar dhe zbatuar vendimet e vendit tonë për të ardhmen, është bërë gjithnjë e më urgjent kalimi në sistemin e ri qeverisës”, shtoi presidenti turk.
Ai tha se vendimi për zgjedhje të parakohshme është sjellë me unanimitet pas marrjes parasysh dhe qasjes pozitive ndaj thirrjes së liderit opozitar Bahçeli dhe bisedimeve të hollësishme me zyrtarët. Në mbledhje me liderin e MHP-së të pranishëm ishin edhe zyrtarë të tjerë të qeverisë turke, përfshirë ministra, zyrtarë të presidencës, anëtarë të partisë në pushtet AK Parti dhe përfaqësues të mediave.
Më 16 prill të vitit 2017, Turqia mbajti një referendum që kërkoi nga votuesit të vendosin për ndryshime kushtetuese në 18 nene për të kaluar nga sistemi parlamentar në sistem presidencial.
Sipas ndryshimeve të reja kushtetuese, zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare mbahen në të njëjtën datë në çdo pesë vite. Fillimisht, zgjedhjet e ardhshme të rregullta ishin planifikuar të mbaheshin në nëntor të vitit 2019.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: