Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në fjalën e tij në nënkomisionin e Kuvendit për diasporën dhe migracionin ka deklaruar se Komisioni Rregullator pranë KQZ ka miratuar thuajse të gjitha aktet kryesore normuese me qëllim realizmin e votimit nga jashtë.

Ai bëri me dije se para Krishtlindjeve do të ketë një demonstrim të funksionaliteteve të platformës elektronike të regjistrimit të votuesve nga jashtë, me qëllim që në datën 11 janar kjo platformë të jetë funksionale dhe të fillojë procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë.

Në lidhje me përgatitjen dhe mbarëvajtjen e procesit të votimeve për qytetarët jashtë Shqipërisë, Celibashi tha se procesi i përgatitjes së votimit nga jashtë ka shkuar në përputhje me të gjithë parashikimet e Kodit Zgjedhor, përfshi këtu edhe në kuptim të afateve që ky kod ka përcaktuar për aspekte të ndryshme të karakterit normativ apo organizativ të votimit nga jashtë.

“Kemi miratuar aktin që ka të bëjë me rregullat për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë, pra për përgatitjen e listës së zgjedhësve. Kemi miratuar aktin që ka të bëjë me miratimin e listës së dokumentacionit që kërkohet për të vërtetuar adresën e votuesit nga jashtë me qëllim regjistrimin në listën e zgjedhësve. Kemi miratuar rregullat për procedurën e votimit nga jashtë. Kemi miratuar vendimin që ka të bëjë me parimet dhe karakteristikat e përgjithshme teknike të funksionit, administrimit të mbikëqyrjes dhe auditimit të platformës elektronike të regjistrimit të votuesve nga jashtë”, u shpreh Celibashi.

Gjithashtu shtoi ai, “është miratuar udhëzimi i i ri i përbashkët ndërmjet Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe ministrit të Brendshëm që ka të bëjë me shkëmbimin e informacionit dhe përgatitjen e listës së zgjedhësve për votuesit nga jashtë”.

“Kemi filluar procesin dhe jemi drejt finalizimit të ndërtimit të platformës elektronike të regjistrimit apo PER-i, sikurse ka akronimin kjo platformë. Besoj që para Krishtlindjeve do të kemi një demonstrim të funksionaliteteve të këtij sistemi me qëllim që në datën 11 janar kjo platformë të jetë funksionale dhe ashtu sikurse e ka parashikuar Kodi Zgjedhor të fillojë procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë. Kemi përgatitur gjithë çfarë duhet në kuadër të informimit dhe të ndërgjegjësimit të votuesve nga jashtë. Kemi përgatitur një program të posaçëm të dedikuar, të edukimit, informimit dhe ndërgjegjësimit të votuesve nga jashtë. Jemi duke punuar për aspekte të tjera të karakterit organizativ dhe logjistik të zhvillimit të këtij procesi. Po punojmë mbi dokumentacionin që do të duhet për këtë proces e të tjerë elementë”, tha ai, ndërtsa shtoi se po punohet ngushtë në lidhje me proces me të gjithë partitë politike, përfshirë PD.

“Komisioni Rregullator është në procesin e shqyrtimit të aktit të fundit rregullator, i cili ka të bëjë me procedurat e vlerësimit të fletëve të votimit dhe të kryerjes së procesit të numërimit në KQZ dhe besoj që brenda kësaj jave Komisioni Rregullator do të miratojë edhe këtë akt të fundit. Në fakt duhet të jetë i parafundit, pasi formalisht do të duhet të marrë vendimin për realizmin për herë të parë të votimit nga jashtë. Vendim i cili vjen pasi vlerësohet që janë marrë të gjitha masat e karakterit organizativ, logjistik, njerëzor për zhvillimin e këtij procesi dhe besoj para fundit të këtij viti do të merret edhe ky vendim nga ana e Komisionit Rregullator. Gjithë procesi i përgatitjes së votimit nga jashtë i është nënshtruar një konsultimi të gjerë me partitë politike, me organizatat e shoqërisë civile dhe me këdo aktorë tjetër të interesuar për këtë proces”, shtoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb