Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi në një komunikim me mediat, u shpreh se procesi i votimit të diasporës nuk është në rrezik, dhe as nuk po shkon drejt dështimit.

Ai u shpreh se natyrisht që ka problematika të cilat duhet të zgjidhen, por se për këtë është e nevojshëm që palët të diskutojnë.

“Procesi i votimit nga jashtë nuk është në rrezik, ka zero rrezik, nuk po shkon drejt dështimit. Ky proces sot nuk është në rrezik. Ka problematika të cilat ne do të duhet të adresojmë, por me siguri që do të ketë një zgjidhje. Është shumë e rëndësishme që të ulemi me maturi dhe të diskutojmë, nuk ka vlerë asnjë lloj qasje tjetër. Nuk kam arsye të mendoj që qeveria apo opozita kanë qëllime të tjera. Nga ato çfarë thonë, duket që ka interes të njëjtë nga të gjitha palët që ky proces të realizohet. Procesi i votimit nga jashtë nuk është në rrezik”, tha Celibashi.

Ndërsa lidhur me kërkesën e PD-së që të mos realizohet procesi i votimit dhe numërimit elektronik, duke hedhur dyshime mbi sigurinë e pajisjeve elektronike, Celibashi tha se nuk ka vend për shqetësime të tilla. Ai deklaroi se pajisjet janë 100% të sigurta dhe se çdo parti që ka dyshime është e lirë të bëjë verifikime.

“Problemi qëndron te sjellja e disa operatorëve, nuk ka asnjë lloj problematike tjetër. Pajisjet e votimit dhe numërimit elektronik qëndrojnë aty dhe mund të bëhen të gjitha verifikimet në lidhje me pajisjet. Ne kemi bërë publik procesin e verifikimit pas zgjedhor dhe ka patur një përputhje 100% të fletëve të votimit të printuara me votat dixhitale. Pajisjet e votimit elektronik janë 100% të sigurta dhe ofrojnë të gjitha garancitë në lidhje me fshehtësinë e votës. Jemi të hapur për të adresuar çdo lloj shqetësimi, por ekziston siguria e plotë e pajisjeve elektronike”, deklaroi Celibashi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb