Zgjedhjet komunale në Turqi vazhdojnë që nga ora 7 e mëngjesit, me interesin e analistëve ndërkombëtarë të përqendruar në Stamboll, ku garojnë kryebashkiaku aktual Ekrem Imamoglu dhe i zgjedhuri i presidentit Erdogan, Murat Kurum.

Fakti që shumë e shohin këtë përballje si një “duel” mes presidentit turk dhe Imamoglu nuk është i rastësishëm. Vetëm në 48 orët e fundit, Erdogan organizoi gjashtë mitingje parazgjedhore, të gjitha në Stamboll, ndërsa pak orë para hapjes së qendrave të votimit ai u lut në Hagia Sophia i shoqëruar nga Kurum.

Një detaj që ra në sy për procesin vendimtar të zgjedhjeve të sotme është gjatësia e votimit për Bashkinë Metropolitane të Stambollit. Fotot tregojnë votuesit dhe anëtarët e komisioneve zgjedhore duke mbajtur fletën e votimit… të gjatë, e cila, sipas faqes turke Duvar, është pothuajse një metër e gjatë!

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Sipas raportit të Duvar, votuesit në Stamboll kanë katër fletë votimi të veçanta, për bashkinë metropolitane, bashkitë rajonale, këshillin e qytetit dhe kryetarët e lagjeve. Votimi i Bashkisë Metropolitane të Stambollit përfshin 22 kandidatë partiakë dhe 27 kandidatë të pavarur. Radha e paraqitjes së kandidatëve u përcaktua me shortin e mbajtur më 31 janar.

Fleta më e vogël e votimit në zgjedhjet e sotme komunale me vetëm 4.5 centimetra është ajo e komunës Hilal në provincën lindore të Sirnakut, ku ka vetëm një kandidat, nga partia në pushtet AKP.

Stambolli, me 16 milionë banorët e tij zyrtarisht, ndoshta edhe 20 milionë jozyrtarisht, është më i madhi në popullsi se 131 vende në botë, prodhon 30 deri në 40% të PBB-së së Turqisë, menaxhon një buxhet të madh dhe zotëron “filetat” më të shtrenjta të pasurive të paluajtshme në vend.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb