*Mungon presidenti Bujar Nishani
*Rama: Merita për nisjen e diskutimeve për reformën i takon Metës
*Basha: Korrupsioni zgjedhor, kanceri i sistemit
*Meta: Të përfundojmë bashkë reformën zgjedhore, të mbajmë larg politikës lekët e biznesmenëve, jemi për barazi gjinore

TIRANE- Diskutimet për reformën zgjedhore kanë nisur sot në tryezën e organizuar nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, me temë “Korrupsionin zgjedhor~ nevoja për një reformë elektorale të thelluar dhe gjithëpërfshirëse”.

Kjo tryezë bëri bashkë kryeministrin Edi Rama, kryetarin e opozitës Lulzim Basha dhe liderin e LSI-së, Ilir Meta, ndërsa u vu re mungesa e presidentit Nishani, i cili ishte ftuar për të marrë pjesë në diskutime.

Përpos akuzave të liderit të opozitës për blerjen e votave dhe cënimin e procesit zgjedhor nga maxhoranca aktuale, shefi i qeverisë dhe kreu i PD-së u bashkuan në një pikë, kur folën për çështjen e reklamave të partive politike gjatë fushatave zgjedhore.

Gjatë fjalë së tij, Rama pohoi se pjesa më e errët e partive është financimi i reklamave të partive, ndërsa kjo publikisht u mbështet dhe nga Basha.

“Shqipëria ka nevojë për një hap radikal. Për çështjen e reklamave bie dakord dhe me kreun e Ekzekutivit se çdo çështje financimi duhet të futet në lupën e reformës zgjedhore.”- tha Basha.

Në konferencën e organizuar nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, me temë “Korrupsionin zgjedhor~ nevoja për një reformë elektorale të thelluar dhe gjithëpërfshirëse” janë të pranishëm ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu dhe përfaqësuesi i BE-së. Mbështetës të kësaj konferencë janë Ambasada Amerikane në Tiranë dhe Ambasada e Zvicrës.

Në hapje të konferencës, përfaqësuesja e KVV-së, Gerta Meta e konsideroi fenomenin e ‘korrupsionit zgjedhor’ si një prej sfidave më të rëndësishme, që tenton të manipulojë vullnetin e votuesit.

Ndaj vlerësohet me shumë rëndësi, tha ajo, që reforma e ardhshme zgjedhore të adresojë këtë fenomen, tek i cili i kanë rrënjët një sërë problematikash të vërejtura në proceset elektorale.

RAMA: KA ENDE SHUMË VEND PËR PËRMIRËSIME, KORRIGJIME DHE MODERNIZIME
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë Edi Rama tha se PS-ja mbetet e vendosur për të modernizuar procesin zgjedhor në Shqipëri. Duke theksuar se gjatë zgjedhjeve të kaluara u siguruan disa arritje me rëndësi të madhe, kryeministri Rama pranoi se sistemi zgjedhor në Shqipëri ka nevojë për përmirësime, korrigjime dhe modernizime.

Kryeministri Rama tha se merita për nisjen e diskutimeve për reformën zgjedhore, i takon në radhë të parë kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, i cili që përpara mbylljes së sesionit të vitit të kaluar publikoi shqetësimin dhe angazhimin për t’i hapur rrugë komisionit të posaçëm për reformën e zgjedhjeve.

Kreu i Ekzekutivit pohoi ndër të tjera se legjitimiteti i fituesve, që është i bazuar tek ky gjithëpranim për të çelur një rrugë pa kthim reformash.

“Jam i bindur se ka ende dallime të natyrshme në optikën e të vështruarit të zgjedhjeve në Shqipëri, për këdo që i vështron ato për herë të parë. Nëse zgjedhjet e 2015 do vështroheshin si për herë të parë, do ishin parë si pjesë e një procesi mbi bazë krahëmore me atë që ka ndodhur në 2009. Qoftë 2013, qoftë 2015 janë procese të gjithë pranuara në radhë të parë nga vetë zgjedhësit. Legjitimiteti i fituesve, që është i bazuar te ky gjithë pranim, për të çelur një rrugë pa kthim reformash që i kanë munguar vendit në këto 25 vite. Mund ta shpreh me plotë gojë angazhim in e koalicionit tonë dhe të aleancës mes LSI dhe PS për të adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIR.”, tha Rama.

Ndër të tjera ai tha se nevojë për zbatimin e reformës zgjedhore është nevoja për të kapërcyer traditën dhe depolitizuar komisionet zgjedhore.

“Dhe për këtë arsye kur kryetari i Kuvendit kërkonte angazhimin në këtë proces, ngritëm grupet e punës së përbashkët për këtë raport për të dhënë kontributin tonë maksimumi për tryezën e përbashkët për komisionin zgjedhor. Dua të theksoj dy element; i pari; nevoja për të kapërcyer traditën dhe depolitizuar komisionet zgjedhore. Besoj se jemi sot në kohë për ta bërë këtë hap që është kërkuar tradicionalisht dhe para çdo reforme zgjedhore nga partnerët ndërkombëtar. Por është një hap që kemi nguruar ta bëjmë për një sërë arsyesh që dihen. Këto do ishte ndryshimi më i madh që mund të zgjidhet reforma zgjedhore. Kjo është një reforme për rregullat e lojës. Gjendja e brendshme kur ishim në opozitë, për faktin se reforma zgjedhore duhet të garantojë të gjitha palët, për këtë reformë konsensusi është jo vetëm i detyrueshëm, por i domosdoshëm.”, pohoi Rama.

Sakaq, Rama theksoi rëndësinë se problem ngelen reklamat gjatë zgjedhjeve, të cilat sipas tij janë ana më e herët.

“Kërkon një diskutim çështja e reklamave elektorale. Është pjesa më e shtrenjtë e fushatës zgjedhore dhe pjesa më e errët në shumë aspekte. Duke u bazuar tek analiza jonë e përbashkët, sesa te shembujt, pasi janë nga më të ndryshëm. Ka vende demokratike e kanë të njëjtin sistem, që lejon në reklama pa limit, apo dhe jo, në kohë apo i ndalojnë. Pra, shembujt janë nga më të ndryshimit. Unë besoj se për ne është e nevojshme që të bëjmë një diskutim pasi s’do ishte e paudhë që të shkurtonim këtë zë të fushatës deh të lehtësonim barrën e madhe financiare që ky zë ka për partitë që janë seriozisht në garë. Sigurisht që mund të ketë zgjidhje të ndërmjetme. Nuk kemi si PS ndonjë formulë të përcaktuar. Jemi shumë të interesuar që të trajtojmë së bashku me palët e tjera problematikën në tërësi pa imponuar asgjë. Nënvizoj domosdoshmërinë për një reformë të qartë dhe efikase. Çështja e korrupsionin zgjedhor, i cili krahasuar me të shkuarën është tkurrur në mënyrë të ndjeshme, sidomos në zona më të varfra. Në rastet ku prevalon një mendësi tradicionale e fisit apo klanit. Jam i bindur se Reforma Administrative na ka dhënë një bazë solide dhe transformimi strukturor i organizmit të shtetit në nivelin e dytë ka shënuar një hap kolosal.”, tha kryeministri.

BASHA: KORRUPSIONI ZGJEDHOR, KANCERI I SISTEMIT ZGJEDHOR
Lideri i opozitës, Lulzim Basha e vuri thekin tek korrupsioni zgjedhor, që sipas tij, u kthye në kërcënim në vitin 2013, dhe tashmë është kanceri i procesit zgjedhor. Sipas Bashës, sot në Shqipëri një votë ka çmim, një mandat ka çmim, një parlament ka çmim në euro.

“Korrupsioni zgjedhor është thelbi i problemeve në Shqipëri. Tema e sotme nuk është akademike. Pushteti dhe paraja, paraja dhe pushteti janë të lidhura ngushtë.  Nëse ka një armik të madh të zgjedhjeve sot është korrupsioni zgjedhor. Nga një shqetësim në të shkuarën sot ai është një kërcënim i madh, u kthye në kërcenim ën vitin 2013 dhe sot është kanceri i procesit zgjedhor.”- deklaroi Basha.

Sipas liderit të PD-së, zgjedhjet e Korçës u shndërruan në një poligon të testimit të armës së blerjes së votave.

“2015-a ishte skema e implementimit të blerjes së zgjedhjeve me një skemë industriale. vota që bliheshin, karta identiteti që bliheshin për të mos shkuar në votim. Jo sa merr një parti por sa harxhon një parti, ky është treguesi i vërtetë. Mjafton të shumëzosh minutat e reklamave me çmimin e mediave, të kryetarit të bashkisë sot dhe arrin në çmim. Kush i dha këto para. Nuk ka asnjë metodë matje, por u hapën qindra zyra elektorale. Kushtojnë marrja me qira, pajisja, mirëmbajtja. Askush nuk ka bërë llogari se sa kushtojnë këto zyra.”- tha Basha.

Më tej kryetari i PD-së theksoi se rekomandimet e OSBE-ODIHR-it duhet të jenë emëruesi i përbashkët, minimumi i minimumeve për zgjedhje të ndershme në Shqipëri.

Kryeopozitari Basha, ndryshe nga herët e tjera ra dakord me qëndrimin e zotit Rama sa i takon financimit të partive politike dhe hetimit të burimeve se nga vinë paratë për reklamat. Kreu i PD-së, theksoi se për hir të të mirës së shqiptarëve shprehu vullnetin e tij për të bashkëpunuar pa paragjykime. “Shqipëria ka nevojë për një hap radikal. Për çështjen e reklamave bie dakord dhe me kreun e Ekzekutivit se çdo çështje financimi duhet të futet në lupën e reformës zgjedhore. Prania ime këtu është shenjë për tu ulur pa paragjykim për nesër, por pa u shmangur asnjë përgjegjësie, që shtron për zgjidhje rekordi kriminal për zgjedhjet. Ky është vullneti që dua të shpreh unë sot”, tha Basha.

Nga ana tjetër Basha theksoi se partitë politike financohen nga skema mashtrimi, nga doganat, korrupsioni.

“Ky është modeli i shtetit mafioz. Nuk ka demokraci. Këtë e kemi ulur këmbëkryq në Tiranë e Shqipëri. Kemi hedhur një hap së bashku, që është ligji për dekriminalizimin. Aktet nënligjore do miratohen së shpejti. Nëse në 2008 solli një sistem që fuqizoi kryetarët e partive, se do ishte më e lehtë, ky parim u thye. Spastrimi i zyrtarëve me rekorde kriminale duhet të bëhet, Problemi i krimit dhe lidhjes së krimit me politikën, është problemi më i madh, më i rëndë, më unik i korrupsionit në vend. Kjo tryezë që do vi pas kësaj janë vendimtarë nëse do mbrohet vota, për të pastruar listat zgjedhore. Për mos t’ju dhënë mundësi zgjedhje të një ish-të dënuari për drogë dhe jo për peshën e kuletën apo makinat me xhamat të zi, por intelektualë. Së dtyi; çështja e parave që financohen përmes korrupsonit. Përmes skenave korruptive, përmes të kaluara me VKM, një pjesë e parave shkon për blerjen e votës, përbën një kancer të avancuar. Sepse në këtë rast hajduti, kërkuesi dhe glorifikohen, pasi çon paratë tek partia e i shërben grupit. Legjitimimi i korrupsionit dhe e përdor në fushatë ryshfetin e marrë në dogana, tatime.”, tha Basha.

META: TË PËRFUNDOJMË BASHKË REFORMËN ZGJEDHORE, TË MBAJMË LARG POLITIKËS LEKËT E BIZNESMENËVE, JEMI PËR BARAZI GJINORE
Kryetari i Kuvendit, njëherësh kreu i LSI-së, Ilir Meta vlerësoi nisjen e diskutimeve për reformën zgjedhore, duke theksuar rëndësinë që mos kemi më reforma të minutës së fundit, që nuk adresojnë në mënyrë racionale të gjitha shqetësimet që lidhen me procesin. Sipas Metës, është pozitiv fakti që reforma zgjedhore po zhvillohet në një kohë kur me përpjekje të përbashkëta po përmbyllet edhe reforma në drejtësi.

“Ajo që është me e veçantë në krahasim me të kaluarën është se do të kemi kohë. Të gjithë bashkë ta përfundojmë këtë reformë, shumë përpara zgjedhjeve të vitit 2017. Të mos jetë një reformë e minutës së fundit, pa adresuar shqetësimet në mënyrë racionale dhe por tu dhënë kohën e duhur qytetarëve për të patur kohën e  duhur edhe ata për t’ju përshtatur ndryshimeve. Pikërisht se janë këto shqetësime për zgjedhjet, në jemi mbledhur këtu si rrallë herë. Për tu dhënë një përgjigje të qartë shqetësimeve përmes kësaj reforme.”- deklaroi Meta.

Meta tha ndër të tjera se LSI është një forcë që beson tek transparenca, ndërsa shtoi se procesi i dekriminalizimit sjell edhe eliminimin e korrupsionit zgjedhor. “Të gjithë biem dakord që ka patur progres në të gjitha drejtimet, nuk ka pasur përfshirje brutale të policisë e SHISH si në të kaluarën. Procesi për të blerë vota, karta është një shqetësim serioz por nuk mund të pranoj çdo lloj ekspozimi sikur qytetarët mezi po presin muajin e zgjedhjeve të dalin të treg, që të japin votën. Nëse do ta shikonim në këtë mënyrë nuk i shërbejmë asaj që duhet të arrijmë. Të adresojmë problemet më serioze, kemi hedhur hap për të ashtuquajturin dekriminalizim, s’më pëlqen fare ky term, po politika e polli…Kështu hedhim një hap të rëndësishëm për të eliminuar korrupsionin zgjedhor, eliminimin e të fortëve”.

Sipas Metës, politika shqiptare duhet të pranojë rezultatin e zgjedhjeve, ashtu siç ai është, pa e quajtur humbjen e zgjedhjeve, turp. “Jetojmë në Ballkan, të mos harrojmë që sfidat elektorale i përjetojmë si ballkanas, që s’pranojmë humbjen se është turp, Ndërkohë në demokraci humbja është mundësi për të mësuar që të fitosh në të ardhmen..Të krijojmë një sistem transparent”.

Kreu i LSi-së, shtoi se “Ne nuk kemi kuptuar që për qytetarin ka rëndësi mesazhi pozitiv për ta, jo mesazhi negativ për kundërshtarin. Kushdo që do më shumë vota të përqendrohet tek mesazhi pozitiv për qytetarin. Qytetarët të denoncojnë tentativën për blerje vote, jam i bindur që akuzat ndaj LSI do vijojnë se unë sado që përpiqem nuk frenoj dot rritjen e LSI. ne kemi në dorë transparencën maksimale, të zbatojmë rekomandimet e OSBE-ODIHR”.

Më tej, Meta foli për modelin që LSI do të fusë në politikë, atë të transparencës së financave dhe përjashtimit të biznesmenëve nga partia vetëm se kanë para.

“Kemi shumë biznesmenë të përfshirë në politikë, duhet të ketë zë në parlament po të jetë cilësor që sjell ide e mendime, jo prezencë për të mbrojtur interesat vetjake. Ne si forcë do i përjashtojmë. Pas dekriminalizimet për ne si LSI është me rëndësi të heqim konceptin që ka deputet që i shohin zonat e tyre si ndërmarrje private, të zgjidhen për vlerat që kanë jo për shkak të parave. Të shohim mundësinë e listave të hapura që qytetarët të zgjedhin brenda një force politike. Do forconim më shumë parlamentarizmin, do forconim lidhjet me qytetarët”.

Meta deklaroi ndër të tjera se nisie këto zgjedhjet njollosen, kjo është një njollë për Shqipërinë dhe shqiptarët që nuk e meritojnë. “Ne kemi mundësit të hedhim hapa përpara, me reformën territoriale ecëm para, u garantua barazia gjinore në zgjedhjet vendore, shpresojmë që këtë gjë ta realizojmë edhe tek ligji i zgjedhjeve parlamentare. Ne do ta zbatojmë, përfaqësuesit e LSI do jenë në respekt të barazisë gjinore. Kjo reformë duhet të mbështetet fuqishëm edhe nga reforma në drejtësi. Pra kush bën korrupsion e manipulim duhet të dënohet që të tjerët të mos guxojnë të përsërisin të njëjtin veprim. Forcim institucionesh besim tek drejtësia”.

DONALD LU: DIALOGU I SOTËM I JASHTËZAKONSHËM, VULLNETI POLITIK, SHENJË E MIRË PËR SHQIPËRINË
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu vlerësoi iniciativën e tre krerëve të partive më të mëdha në vend, Edi Ramës, Ilir Metës si dhe Lulzim Bashës. Gjatë fjalës së tij Lu pohoi se dialogu është i jashtëzakonshëm, ndërsa theksoi se vullneti politik është një shenjë e mirë për Shqipërinë.

“Sa interesant është dialogu sot, është i jashtëzakonshëm. Së pari duhet të them se çfarë ne mendojmë. Është shenjë shumë e mirë se kreu i PS dhe i PD-së dhe ai i LSI kanë vullnet politik të marrin pjesë në një skenë që është i organizuar nga sektori i OJQ-ve. Është një shenjë shumë e mirë për reformën dhe shenjë e mirë për Shqipërinë. Kur vizitova qendrat zgjedhore në Shqipëri, pash më së shumti persona që punonin shumë dhe të përkushtuar. Punonjësit shqiptar të qendrës së votimit, ishin njerëz të zakonshëm.”, tha Donald Lu.

Ndër të tjera ambasadori i SHBA-ve nuk la pa përmendur se gjatë vëzhgimeve të tij nëpër komisione zgjedhore ka evidentuar raste kur militantët e partisë u bënin presion komisionarëve, ndërsa rikujtoi se problem ngelet dhe votimi në grup.

“U inatosa kur pashë që militantët që donin të prishin zgjedhjet. Pamë grupe gangsterësh që rrinin jashtë qendrave. Disa kandidatë kishin precedent kriminal të turpshëm. ODIR lavdëroi punën e mirë të punonjësve, SHBA mbështet fuqimisht reformën e mbështetur nga ODIR. I bën thirrje Kuvendit që ti zbatojë këtë vit. Por për ti arritur këto reforma duhet të bëhet më shumë. Miratimi i ligjit të dekriminakizimit është zbatimi i tij.”, tha ai. Ndër të tjera Lu u drejtoi mesazhe të forta qytetarëve shqiptarë, duke pohuar se janë ata që nuk duhet të votojnë njerëz me rekorde kriminale. “Votuesit shqiptar kanë nevojë që të marrin nevojë për të mos pranuar para për votën e tyre dhe për të mos vitzituar kriminel. Shqiptarët dhe amerikanët kanë qejf të ankohen për politikanët, por ne në një demokraci jemi përgjegjës për politikanët që zgjidhim.”, theksoi ambasadori Lu.

OSBE: NEVOJA E REFORMËS E PADISKUTUESHME, POR LIGJI PA ZBATIM ËSHTË MASHTRIM
Nënkryetari i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Wilton theksoi se ka ardhur koha për të trajtuar shqetësimet për procesin zgjedhor, përmes një reforme gjithëpërfshirëse dhe të shpejtë. Zoti Wilton e konsideroi një shenjë të mirë pjesëmarrjen në tryezë të të gjithë liderëve politikë, duke e cilësuar si bazën e demokracisë.

“Pretendimet për blerjen e votave po vijojnë. Presion ushtrohet ndaj punonjësve në sektorin publik me marrë pjesë në fushatë apo të votojnë në një mënyrë të caktuar. Ka ardhur koha të trajtojmë këto shqetësime, nëpërmjet reformës në sistemin zgjedhor. Ne e përshëndesim krijimin e komisionit Ah-Hoc për reformën. Komisioni duhet të jetë prioritet ndaj luftës kundër korrupsionit zgjedhor. Fjala kyç mbetet zbatimi, ligji të bëhet i zbatueshëm pa përjashtim. Ligji pa zbatim është mashtrim, ligji pa zbatim është kot. Kur janë institucionet gati dhe të sinqerta ekspertiza edhe mbështetje të OSBE-ODIHR-it kishin me qenë të palodhshme. Nevoja për një reformë tërësore, gjithëpërfshirëse dhe të shpejtë është e padiskutueshme. Demokracia juaj ose shërohet ose vdes këtu. Pjesëmarrja e përbashkët sot është një shenjë e radhë. Kjo është baza e pazëvedësueshme e demokracisë.”- deklaroi Wilton.

LUZI: FINANCIMI I PARTIVE POLITIKE ËSHTË ÇËSHTJE E REALITETIT SHQIPTAR
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefteri Luzi deklaroi se konferenca e sotme arriti qëllimin e saj që në takimin e parë. Ajo pohoi se me rëndësi mbetet financimi i partive politike, pasi sipas saj ngelet çështje e realitetit shqiptar. “Të gjithë liderët politikë janë të gatshëm të ulen dhe të bëjnë kodin zgjedhor. Këtë radhë iniciativa e tyre është shumë herët që mos ti lënë në minutën e fundit. Ndaj, do thosha se kjo konferencë ia arriti qëllimin që në takimin e parë. Ne do jemi krah reformës zgjedhore. Financimi i partive politike është çështje e realitetit shqiptar.”, tha Luzi.

TAKIMI I PLOTË

(er.nu/ed.me/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: