Ish-deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” u shpreh se opozita e vendit dëshiron zgjedhje të lira e të ndershme. Bylykbashi tha se me zgjedhje të lira e të ndershme, Rama ikën nga skena politike, pasi PD, sipas tij, sot është maxhorancë.  Për Bylykbashin, Edi Rama qeveris me bandat dhe kriminelët, ndërsa e ka kthyer shit-blerjen e votave në një biznes.

“Raporti i ODIHR do të shkruajë zi e më zi se më 2017, duke mos bërë përpara as në rrugën drejt BE. Rama e ka koncept po ashtu që të eliminojë opozitën. Ai e ka koncept që të qeverisë me kriminelë. Rama ka kapur votën.  Ne kërkojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në rast se ka zgjedhje të lira e të ndershme, Rama ikën, e largojmë. Një sondazh e nxirrte Ramën me 53 për qind të votave. Edi Rama ka bllokuar rotacionin, sepse nuk lejon zgjedhje të lira dhe të ndershme. Me zgjedhje të lira e të ndershme, ne si opozitë kuptojmë që qeveria të mos bëjë presion, të mos ndërhyjë në votën e lirë, mos të shitet. Sot jemi në një situatë, ku OSBE ODIHR ka përcaktuar pika ku thotë se zgjedhjet janë vjedhur, janë bërë abuzime dhe kapje e zgjedhësve. Kjo është shkelje e rëndë. ODIHR ka konstatuar dy herë me Ramën në pushtet se ka vjedhje votash.

Shit-blerja e votash është problem akut. Ne e dimë shumë mirë se në vitin 2015 -2017 krimi i organizuar ka marrë peng vendin, ka bashkëpunuar me qeverinë, kanë mbjellë vendin me hashash. Me Ramën, shit-blerja e votës është bërë sistem. Ne e kemi thënë se prioritet është që bandat që bashkëpunojnë me Ramën duhet të goditen. Ramës duhet t’i hiqet e drejta që të përdorë bandat. Listat e zgjedhësve duhet që të jenë transparente dhe një për një. Strukturat e shtetit janë përdorur në mënyrë kriminale. Ju e dini shumë mirë se ia hoqëm Arben Ndokën nga parlamenti dhe e çoi në terren në Lezhë prapë për ndihmë. Pra, Rama bashkëpunon prapë me krimin”, tha Bylykbashi.

Oerd Bylykbashi u pyet edhe në lidhje me deklaratat e sotme të presidentit Ilir Meta. Bylykbashi u shpreh se Metës ia lejon Kushtetuta të shtyjë zgjedhjet, kurse nënvizoi se kreu i shtetit me siguri që e merr këtë vendim pas problemeve akute në procesin zgjedhor.

“Presidenti i Republikës bëri deklaratën që është i gatshëm që të shtyjë datën e zgjedhjeve, sepse ka një sërë problemesh. Listat e zgjedhësve janë të manipuluara sot. Ka zgjedhës pa adresë. Një zgjedhës duhet të ketë një adresë, por këtu nuk ka, por se ministri Lleshaj gënjen ndërkombëtarët në lidhje me këtë problem madhor. Plot 270 mijë zgjedhës nuk dihet se ku kanë adresat.  Lleshaj ka “zhdukur” këtë listë. Më 2014 regjistrimi është bërë derë më derë.

Lista e zgjedhësve është problem i madh. Nëse ke zgjedhur të hysh në zgjedhje, do të gjesh një mënyrë që zgjedhësi të votojë aty ku banon. Sistemi i adresave ka probleme të mëdha. Ke 1.4 milionë karta identiteti të skaduara. Karta nuk i duhet zgjedhësit dhe kundrejt parave e jep atë kartë e kështu shitet vota. Ne kot nuk flasim për shit-blerje votash. Ka segmente kriminale që kontrollojnë zgjedhësit. KQZ ka dalë totalisht jashtë kontrollit. Po bën regjistrime të partive jashtë çdo lloj logjike, si BD.  Është e drejtë e partive parlamentare që të kenë komisionerë. PD duhet të ketë komisionerë dhe është pa lidhje logjike me idenë që jemi apo jo në parlament. Është sistem i tërë nën kontroll qeveritar. Zgjedhje me banditë nëpër këmbë s’do mbahen.

Presidenti është ai që mund ta shtyjë datën e zgjedhjeve. E tha edhe CDU që duhet një proces i drejtë dhe jo korruptiv. Është ajo që thotë presidenti, që duhet që zgjedhësit duhet të jenë të lirë të votojnë. Sa i takon lënies së mandatit të presidentit Meta, është qëndrimi i tij. Më e rëndësishmja është që zgjedhjet të mbahen të lira. Edhe Kushtetuta përcakton vetëm 4-vjeçarin e zgjedhjeve, por jo datën. Nuk është problemi se ra Edi Rama, por është Rama ai që ka shkatërruar gjithçka. Rama ka kandiduar për kryetar bashkie njerëz që duhet të jenë të pandehur pasi janë në dosje për shit-blerje votash. Edi Rama e ka koncept që qeveris me banditë, se e di që kështu fiton, me banditë dhe kriminelë”, nënvizoi Bylykbashi.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb