Kryeministri Edi Rama mori në Bruksel mbështetjen e Presidentit të Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker për hapjen e negociatave por edhe për zgjedhjet vendore, për të cila ai ngul këmbë që duhet të mbahen më 30 qershor.

“Ka ardhur koha që të bëjnë atë që ne presim, të na ndezin dritën e gjelbërt për bisedimet. Nuk është fundi por një kapitull i ri që do të kërkojë shumë përpjekje, do kërkojë kohë dhe durim. Ne nuk e bëjmë këtë se na u kërkua nga Brukseli por për të mirën e vendit tonë, për të mirën e fëmijëve tanë. Për të mirën e një vizioni të përbashkët se si duhet të jetë Shqipëria e brezave të ardhshëm. Ne kemi besim në miqësinë dhe mbështetjen tuaj. Deri në momentin që vendimi do merret të gjithë do jenë aty për t’ju dhënë shqiptarëve as më pak dhe as më shumë se sa meritojnë. Ju falenderoj edhe për qëndrimin që mbajtët në lidhje me situatën tonë të brendshme që zgjedhjet duhet të zhvillohen në kohë dhe nga askush nuk duhet të pengohen”,- tha Rama, duke iu drejtuar Juncerit.


Por ndërsa zgjodhi të falenderojë Juncerin, Rama nuk pranoi të komentonte deklaratën e Presidentit të Republikës, Ilir Meta se pa dekretin e tij nuk do të kishte zgjedhje.


“Jam me presidentin e komisioni, dua të qëndroj me të dhe të mos komentoj presidentin e vendit tim. Do kemi kohë kur të kthehem atje, kur të përfundoj misionin tim këtu dhe të kem falënderuar komisionerin”,- vijoi ai.


Çfarë tha Juncer për zgjedhjet në Shqipëri
“Nuk dua të ndërhyj në këtë debat të brendshëm, ndava pikëpamjen time që nëse duhet të ndodhin zgjedhjet askush nuk duhet të ndalojë shprehjen e pikëpamjeve demokratike. Nëse do i pengojnë, do të dëmtojnë prespektivën europiane. Jemi këtu që ta bëjmë të qartë si kristali se duhet të hapen negociatat me Shqipërinë”,- tha ai.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb