Në programin e drekës me Ola Bruko në News24 ishte i ftuar mjeku i njohur Vasil Llajo i cili kandidon në listën e hapur të Partisë Socialiste, në Qarkun e Vlorës. Zona elektorale e mjekut Llajo është rrethi i Sarandës. Ai shpjegoi aryset se pse kishte vendosur të merrte pjesë në listat e hapura të socialistëve.

Sipas tij, PS është një parti e organizuar dhe se hyrja në Europë ishte qëllimi i tyre më i madh pas zgjedhjeve të 11 majit.

“Zona e Sarandës do të jetë shumë e rëndësishme për zgjedhjet e 11 mjait. Unë kam shfaqur gjithmonë interes për politikën. Mjekësia e të qënurit person publik një binom që më ka shoqëruar gjithmonë.  Një nga arsyet se pse nuk jam tek listat e mbylluar është sepse nuk jam anëtar i partisë dhe ne shpresojmë që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së.

Zgjodha PS, një parti e organizuar e me një objektiv të madh. Hyrja në Evropë është qëllimi më i madh i yni. Për të hyrë në listë pata një ftesë nga kryeministri dhe nuk e kam negociuar kërkesën”, tha Llajo.

Më tej kandidati i PS i bëri thirrje votuesve për votën e tyre duke thënë se do jetë zëri i shëndetësisë. Llajo theksoi gjithashtu se vota e diasporës është e rëndësishme në zgjedhjet e ardhshme.

“Nuk do të trishtohesha nëse nuk do e fitoja mandatin e deputetit, por besoj se do të kem hapësira për të zhvilluar punët e mia. Dua respektin dhe votën e njerëzve. Do jem zëri i të gjithëve për sa i përket shëndetësisë. Arritjet në shëndetësi janë shumë të mëdha. Ka shumë probleme, të cilat duhet të evidentohen por do bëhen më shumë. Vota e diasporës do na ndihmojë shumë dhe kam qenë shumë afër tyre”, përfundoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb