Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka miratuar sot projektvendimin për sasinë e fletëve të votimit që do të prodhohen për zgjedhësit brenda vendit për zgjedhjet parlamentare të planifikuara më 11 maj. Në total, do të prodhohen 3,534,792 fletëvotimi të cilat më pas do të shpërndahen në 12 qarqet e vendit në raport me numrin e votuesve.

Sipas KQZ, kjo sasi është e barabartë me numrin e zgjedhësve, duke u shtuar edhe 2% mbi numrin e tyre. “KQZ do të dërgojë në selinë e KZAZ-ve numrin e nevojshëm të fletëve të votimit në kuti të veçanta për çdo qendër votimi, në përputhje me numrin e zgjedhësve dhe me shtesën e 2%,” njoftoi KQZ.

Deri tani, nga përpunimi i të dhënave të listës së zgjedhësve, rezulton se numri total i zgjedhësve në Shqipëri është 3,467,972, me 93 KZAZ dhe 5,225 Qendra Votimi. Kështu, sasia totale e fletëve të votimit për zgjedhjet e 11 majit do të jetë 3,534,792, duke marrë parasysh ndarjet e qendrave të votimit.

Sot u miratua gjithashtu projektvendimi për caktimin e numrit të Komisioneve të Administrimit, Numërimit dhe Vlerësimit të Votave nga Jashtë (KANVVJ) dhe Grupi të Numërimit të Votave nga Jashtë (GNVJ). Kryekomisioneri Celibashi njoftoi se do të ngrihet një komision për Tiranën, një për Fierin, dhe një të përbashkët për Elbasan dhe Kukës, si dhe për Durrës dhe Gjirokastër.

Për sa i përket grupeve të numërimit, do të ketë 10 grupe për Tiranën, 5 për Fierin, dhe për Elbasanin dhe Kukësin do të ketë 4 grupe plus 1 rezervë. Po ashtu, 4 grupe plus 1 rezervë për Durrësin dhe Gjirokastrën, 2 grupe plus 1 rezervë për Korçën dhe Dibrën, 3 grupe plus 2 rezervë për Vlorën dhe Lezhën, dhe 2 grupe plus 2 rezervë për Shkodrën dhe Beratin, duke e çuar totalin në 37.

KQZ gjithashtu vendosi të krijojë Komisionin e Qendrës së Votimit të Posaçme me numrin 2224/01 në Institutin e Ekzekutimeve Penale në Rrogozhinë dhe të autorizojë KZAZ-në për emërimin e anëtarëve të tij për zgjedhjet e Kuvendit më 11 maj 2025.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb