Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka caktuar detyrat dhe përgjegjësitë e auditëve teknicienë për verifikimin e veprimeve të realizuara nga KQZ.

Detyrat lidhen me regjistrimin e qytetarëve të cilët do të votojnë brenda vendit më 11 maj.

Auditët do të kryejnë auditimin e kuadrit ligjor dhe rregullator të Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER), auditimin e arkitekturës së sistemit dhe bazës së të dhënave, auditimin e procesit të regjistrimit dhe identifikimit të votuesve, testimin e integritetit të sistemit, verifikimin e performancës së sistemit, gjurmimin dhe auditimin e ndryshimeve në të dhëna, dhe aspekte të tjera.

Auditët teknicienë do të përgatisin një raport me gjetjet dhe më pas do të japin rekomandime për përmirësime, do të propozojnë masa korrigjuese për çdo problem të identifikuar dhe do të përgatisin një plan veprimi për të adresuar dobësitë dhe për të përmirësuar sigurinë dhe saktësinë e sistemit.

Po ashtu, sot u caktua struktura dhe masa e shpërblimit për administratën zgjedhore, si dhe u miratuan formatet dhe specifikimet e vulave për Komisionin e Zonës së Administrimit Zgjedhor, Komisionin e Qendrës së Votimit, Kryetarin e Komisionit të Qendrës së Votimit dhe vulën rezervë të Komisionit të Qendrës së Votimit për zgjedhjet e 11 majit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb