Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ka shprehur bindjen e tij se Partia Socialiste do të dalë fituese në zgjedhjet e 11 majit, me një rezultat të qartë në favor të saj në qarkun që ai përfaqëson.
Gjatë një interviste për emisionin “Kjo Javë” në News24, Ndreu u shpreh i sigurt për rezultatin:
“Ne kemi një objektiv, duam të dalim 4:3 në Qarkun e Lezhës. Mendoj se do të jetë 4:3 për PS. Është e lexueshme dhe nuk ka dilema për këtë.”
Ai tha se detajet do t’i komentojë pas zgjedhjeve, më 12 maj, por për momentin nuk sheh asnjë pasiguri mbi fitoren e socialistëve në këtë qark.
Ndreu u tregua kritik ndaj kundërshtarëve politikë, duke i cilësuar si figura pa integritet, por pa përmendur emra konkretë:
“Nuk vlerësoj forcën politike që kemi përballë. Për personazhet që janë përballë nuk kam thënë asgjë. Kanë marrë votat dhe nuk i kanë pirë një kafe për vdekje ndaj anëtarëve të vet. Janë treguar pa dinjitet dhe janë rikthyer prap.”
Pavarësisht kritikave, ai u shpreh se nuk do të ndjekë stilin e kundërshtarëve që, sipas tij, i sulmojnë personalisht të tjerët:
“S’kam asgjë për t’iu thënë sipas stilit që ata thonë. Nuk dal të marr njerëzit në gojë që kanë bërë këtë apo atë.”