Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është drejtuar përmes një shkrese Ministrisë së Brendshme duke kërkuar çregjistrimin nga lista e zgjedhësve brenda vendit emigrantët që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë. Në udhëzimin e KQZ thuhet se “emigratët që duan të votojnë duhet të regjistrohen në listën e zgjedhësve jashtë vendit”.
Shkresa drejtuar Ministrisë së Brendshme që mban firmën e kryekomisionerit, Ilirjan Celibashi. Ky i fundit i kërkon ministrit Ervin Hoxha që të përcaktojnë me një akt të përbashkët mënyrën e bashkëpunimit mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile për çregjistrimin e shtetasve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë nga lista e zgjedhësve brenda vendit.
“Zgjedhësi që ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit, në përputhje me përcaktimet e bëra në Kodin Zgjedhor dhe aktet nënligjore në zbatim të tij”, thuhet në udhëzim.
Letra
Drejtuar: ERVIN HOXHA MINISTËR I BRENDSHËM
I nderuar,
Në mbështetje të ndryshimeve më të fundit të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, kemi nisur punën përgatitore për mundësimin e zgjedhjeve nga jashtë vendit për zgjedhjet e ardhshme për Kuvend të vitit 2025.
Në zbatim të nenit 25, pika 13 të Kodit Zgjedhor do të duhet të përcaktojmë me akt të përbashkët mënyrën e bashkëpunimit mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile për ç’regjistrimin e shtetasve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë nga lista e zgjedhësve brenda vendit.
Përsa më sipër, gjeni bashkëngjitur për mendim dhe në vlerësimin tuaj projektudhëzimin e hartuar nga administrata.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi.
(BalkanWeb)