Kryeministri Edi Rama tha se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, PD zor se do të marrë më shumë mandate se në vitin 1997.

Rama tha se i vetmi ndryshim është se në atë kohë e gjithë Shqipëria ra në humnerën ku ishte kjo parti, ndërsa tani në humnerë do të jetë vetëm kjo parti.

Sipas Kryeministrit, kjo është ajo që vetë kjo parti ka vendosur dhe ka zgjedhur të bëjë.

Rama tha se ekonomia po rritet në mënyrë të qëndrueshme, ndaj edhe pagat janë sot pakrahasimisht më të larta, jo vetëm në sektorin publik, por edhe në atë privat. Ai tha se pagat i rrit rritja ekonomisë, i rrisin reformat, dhe jo menaxhimi aventurier.

Rama tha se Shtetbërja nuk është lojë fjalësh, por punë për të ecur përpara.

Pjesë nga fjala e Ramës: 

“Ka vetëm një gjë që është keq në Shqipëri, PD-ja. unë nuk shoh filxhan, as parashikoj të ardhmen, por di të lexoj mendjen e popullit, jo vetëm se kemi patronazhistët, por kemi një strukturë shkencore të kolauduar që bën anketimet e përmuajshme të opinioneve të njerëzve. Në zgjedhjet e ardhshme PD-ja zor se do të marrë më shumë mandate se në vitin 1997. Mbajeni shënim. Këtë herë humnera është destinacion ekskluziv vetëm i asaj partie, i zgjedhur me vullnet të lirë prej udhëheqësve udhëprerës të saj.

Kur të nxjerrin përballë një ekip drejtues për zgjedhjet ardhshme si ai që doli para pak ditësh. Njësoj si mua dhe juve për një moment u iku gjysma e dëshirës për betejë. Fund e krye humbësa kronikë. Njëri më i rraskapitur se tjetri, të njëjtët që e nxorën sa e sa herë fitimtar lulin e shkretë dhe tani do ta vulosin fitoren në penxheren e katit të 8. Dhe pastaj thonë nuk fitohet kundër diktaturës së Edi Ramës dhe PS.

Diktatura jonë është si diktatura e Partizanit të Gim Fagut dhe Gim Çaçit në fushën e basketbollit që kur hyje në nxemje të dukeshin të dobët dhe thoje sot do t’i rrahim. Por kur fillonte loja të dukej sikur fusha më e vogël për ty dhe më e madhe për ata dhe rezervat kur hynin në lojë dukeshin yje, pastaj vinin minutat vendimtare kur ta bënin koshin tënd si kullonjëse makaronash me topin që hynte nga të katër anët dhe te koshi i tyre nuk hynte asgjë. Fundi ishte i njëjtë dhe dëshpërues, fitonte diktatura e kuqe. Mbaronte kampionati i radhës dhe ne fillonim pushimet, ndërsa diktatorët fillonin stërvitjen që të nesërmen, një natë më parë kishin ngritur kupën, në 5 të mëngjesit për kampionatin tjetër duke i rënë përqark liqenit…

Ne nuk thoshim fituan me hile, mundoheshim të mësonim prej tyre… PS ngjan shumë me Partizanin e pakonkurrueshëm të asaj kohe. Leximi i fitores me sy kritik, duke shkuar në të gjitha tabelat e rezultateve si për të qëruar oriz në të gjithë territorin dhe ambicia për të përmirësuar rezultatin, përgatitjet e nisura shumë herët për zgjedhjet e ardhshme, me orgfanizimin, ripërtëritjen e orgasnizatave të PS na janë kthyer në fitore, fitore edhe më domethënëse në vijim. Fitorja nuk i takon vetëm atij që e do, por atij që e do aq shumë sa është gati të bëjë gjithccka, për ta marrë. Ne kemi fituar si kurrë më parë në historinë e pluralizmit sepse nuk na ka mjaftuar asnjëherë PS pas fitores, por të bëjmë gati për PS-në që na duhet për fitoren e radhës…” 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb