TIRANË- Reagimi i deputetes së PD pak ditë më parë ndaj kreut të kësaj force politike, lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 21 qershorit, ka hapur një debat të madh brenda kësaj force politike. Postimi në Facebook i Topallit që e quajti betejën e humbur, duke mos kursyer kritikat për keqmenaxhimin e situatës, pasoi edhe të tjera reagime brenda PD edhe për rezultatin në zona të tjera të vendit.

Së fundmi është kreu i PD-së së Durrësit Osman Stafa që e ka cilësuar votën e 21 qershorit, si të deformuar dhe të blerë nga e majta. Më herët, Topalli përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ndërsa analizoi situatën, u shpreh se PD nuk ka bërë asnjë hap para.

“Zgjedhjet e 21 qershorit 2015 nuk plotësuan standardet, por edhe kjo nuk është se na zuri gafil. Ne kemi humbur në shumicën absolute të bashkive. Harta është pothuaj krejt mavi dhe si PD kemi 20%, ndërkohë si koalicion jemi me minus 482 mijë vota. PD ka një betejë të vështirë përpara. Por PD duhet të shikojë më shume nga vetja”, shkroi Topalli.

Qëndrimi i deputetes Topalli nuk u mirëprit as në Shkodër, atje ku PD korri fitore. Kreu i PD-së në qytetin verior Ramiz Çobaj, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, shkruan: “Fitorja në Shkodër nuk erdhi as nga ‘Ambasadorët shëtitës’ të Razmës, apo Gjirit të Lalzit, por nga puna e jashtëzakonshme e strukturave të Partisë Demokratike Dega Shkodër. Shkodra të voton kur punon drejt, kur punon me përkushtim, kur je i vërtetë, ashtu siç edhe të ndëshkon kur gabon, kur nuk respekton dhe kur je larg realitetit”.

Ndërkaq, pas postimit në rrjetin social Facebook të deputetes Topalli, 6 ditë pas 21 qershorit, nuk ka pasur asnjë reagim nga kryesia e PD deri më tani.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: