TIRANE

Në kongresin e PS, i cili po mban punimet në Pallatin e Kongreseve, u zbuluan edhe emrat e 6 kandidatëve për zgjedhjet elektorale të 30 qershorit të kësaj force politike. Përmes fjalimeve të mbajtura në sallë, PS zbuloi se në Bashkinë e Korcës konfirmon për një mandat të dytë, kryetarin aktual Sotiraq Filo, po ashtu konfirmohet Armando Subashi për bashkinë e Fierit, Dritan Leli në Vlorë, si edhe Majlinda Bufi në Roskovec. Ndërkaq për bashkinë e Lezhës PS do të garojë në këto zgjedhje me Pjerin Ndreun ndërsa në Elbasan, në vend të Qazim Sajedinit i cili ka drejtuar qytetin për 3 mandate, socialistët duket se kanë vendosur t’i besojnë Bashkinë prefektit aktual Gledian Llatja.


Në fjalën para kongresit, kandidatët e rikonfirmuar për Bashkitë folën për projektet e realizuara e për të tjera që pritet të kryhen në të ardhmen.


Një fjalë ndryshe kishte Pjerin Ndreu, i cili e nisi fjalën e tij me një tjetër slogan, ‘Bashkia që nuk duam’ duke qenë se Bashkia e Lezhës u drejtua gjatë këtij 4 vjecari nga opozita aktuale.


“Dua të tregoj modelin e Bashkisë që nuk dua. Modeli i instaluar me Lulzim Bashën, një menaxhim skandaloz. Një godinë punësimi ku punojnë 1200 vetë, ku njerëzit shkojnë punojnë jashtë dhe marrin rrogën në bashki, modeli ku vetëm 4% përdoret për investime, qyteti ka degraduar në një situatë të tillë ku qyteti është si në kandahar. Një fatkeqësi që ka sjellë PD. Nëse doni ta ktheni rërën në pemtore, hajdeni në Lezhë në Bashkinë që nuk duam. Ne të PS-së, nuk e drejtojmë Lezhën prej tre mandatesh. 30 qershori duhet të jetë pikënisja e ndryshimit të Lezhës, duke dëruar investime të rëndësishme, ne jemi njerëz të punës.”- u shpreh Ndreu.

Ndërkohë, ndërsa vlerësoi punën e bërë deri tani nga Bashkia në Elbasan, prefekti aktual Gledian Llatja, i cili duket se do të jetë kandidati i PS në zgjedhjet vendore u shpreh se pas këtij Kongresi do të nisin takimet derë me derë me qytetarët me qëllim fitoren në zgjedhje.

“Nisin një rrugëtim për zgjedhjet e 30 qershorit. Sot në Elbasan i investuan 7.1 mld lekë. Është ky qytet që do ecë para për Bashkinë që Duam për Bashkinë Europiane. Sot në Elbasan kemi 4 fishim të studentëve. Sot kërkojmë mbështetjen e cdo qytetari për të vijuar rrugën tonë, për bashkinë që duam për shqipërinë europiane. Na bën besimplotë për fitore në të 61 bashkitë. Pas këtij kongresi do dalim derë me derë për fitoren në zgjedhje.”- u shpreh Llatja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb