Nuk ka pasur një studim tjetër i cili të ketë krijuar ” furtunë reagimesh ” sesa studimi i ekonomistit Steve Levitt dhe juristit John Donohue mbi kriminalitetin i botuar në vitin 2001. Historia filloi kështu: Në USA në vitet 1960, krimi kishte filluar të rritet vazhdoi i tillë edhe gjatë viteve ’70 dhe ’80. Të gjithe ishin dakord se krimi edhe dhuna ishin jashtë kontrollit, se kriminelët po shtoheshin tek moshat e reja dhe se problemi vetëm do të përkeqësohej! Por çuditërisht kjo nuk ndodhi.

Në fillim të viteve 1990, krimi filloi të binte në nivelin më të ulët historik. Përshembull, në qytetin e Nju Jorkut, në vitet 70-80 kishte më shumë se 2200 vrasje në vit. Ndërsa në vitet 90 vrasjet ranë në më pak se 300 në vit. Por nuk ishte vetëm Nju Jorku: me disa përjashtime, krimi kishte rënë në të gjithë SHBA-në.

Pse? Çfarë çoi në këtë kthesë të paprecedentë dhe jashtëzakonisht të papritur?

Të gjithë kishin teoritë e tyre: policimi më i mirë, rikthimi i dënimit me vdekje, kontrolli mbi mbajtjen e armëve, një ekonomi më e fortë.

Por një ditë, duke shfletuar Abstraktin Statistikor të Shteteve të Bashkuara, gjë që ekonomistët si Levitt bëjnë edhe për argëtim, ai pa një numër që e tronditi: pas lejimit te abordit në SHBA, kishte 1.5 milionë aborte çdo vit, krahasuar kjo me rreth 4 milionë lindje ne vit. Pasi mblodhi edhe studioi të dhënat së bashku me John Donohue profesor i drejtësisë në Shkollën Juridike të Stanfordit, ata dolën me një teori tjetër e cila ishte befasuese, turbulluese, por dukej se kishte fuqi të madhe shpjeguese.

Në Punimin e tyre, “Ndikimi i legalizimit të abortit në krim”, i botuar në Maj të 2001 në “The Quarterly Journal of Economics’ ata shkruanin se, ” lejimi i abortit shpjegon 50 për qind të uljës së krimit”.

Por edhe pse argumenti i tyre ishte empirikisht i fortë , pra i mbështetur në të dhëna dhe mekanizmi i shkak-pasojë ishte qartësisht logjik, rezultati ishte i pakëndshëm për t’u pranuar .

“Kishte një vorbull reagimi . Të gjithë na urrenin. Njerëzit të cilët ishin në favor të së drejtës për jetë u mërzitën sepse argumenti ynë dukej se po mbështeste idenë se aborti i legalizuar kishte efekte pozitive. Numri i kërcënimeve me vdekje që mora nga e majta, tregon Levitt, ishte në fakt më i madh se numri i kërcënimeve me vdekje që mora nga e djathta”.

Sjellja e një fëmije në botë ka kuptim vetëm nëse ky fëmijë kërkohet me vetëdije dhe lirisht nga dy prindërit e tij. Një qënie njerëzore vjen nëpërmjet konvergjencës rastësore të disa kushteve biologjike, por bëhet njeri nëpërmjet një akti vullneti dhe dashurie nga ana e njerëzve të tjerë.

Vetëm kur gratë janë bindura se zotërojnë mundësinë fizike emocionale edhe ekonomike për të rritur një fëmijë, kanë të drejtë të riprodhojnë. Nëse nuk është kështu, ato para së gjithash duhet të bëjnë gjithçka për të mos ngelur shtatzënë, dhe nëse mbeten shtatzënë (duke pasur parasysh se paparashikueshmëria vazhdon të jetë i lartë) aborti nuk është vetëm një domosdoshmëri e trishtueshme, por një vendim që duhet marrë nga gruaja me lirinë e plotë të ndërgjegjes së saj.

Mekanizmi i uljes së krimit për dy studiuesit që tronditën Amerikën ishte pikërisht ” zgjedhja e bërë nga gruaja” Me anë të abortit , grave u jepet e drejta për të zgjedhur edhe të dhënat e atij studimi tregonin pikërisht se ” gratë janë mjaft të mira në zgjedhjen e këtij momenti “.

Ky është një ndryshim kaq thelbësor krahasuar me cdo zgjedhës tjetër duke filluar nga shteti dhe duke perfshirë pa përjashtim cdo entitet tjetër që kërkon të detyrojë apo imponojë zgjedhje të paracaktuara për njerëzit qofshin këto edhe në emër të jetës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: