Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve vendosi të verifikojë kutitë e materialeve zgjedhore lidhur me zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Himarës, aty ku në 4 gusht u mbajtën zgjedhjet për Kryebashkiak.

Verifikimi i materialeve zgjedhore ishte një kërkesë e paraqitur nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, i cili mbështeti kandidatin Petro Gjikuria, që humbi me rreth 1500 vota përballë socialistit Vangjel Tavo.

Opozita ka ngritur pretendime lidhur me procesin që nis nga shtimi i zgjedhësve në listat e votuesve, deri te mohimi i të drejtës së votës së votuesve, dokumentet e identifikimit të të cilëve kanë qenë të skaduara.

Opozita pretendon se zgjedhjet në Himarë u manipuluan, ndërsa shpreson që përmes verifikimit të materialeve zgjedhore do të provohen pretendimet e saj, veçanërisht lidhur me numrin e votuesve që iu mohua e drejta e votës.

Gjithashtu pritet që përmes materialeve zgjedhore të ketë një verifikim sa i takon përputhshmërisë së votave në kuti, por edhe të gjithë aspektit teknik lidhur me procesin.

Pritet që deri të hënën të bëhet një verifikim i këtyre materialeve dhe më pas bazuar në atë që do të dalë do të kalohet në një vendimmarrje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: