Zgjedhjet e parakohshme në Gjermani do të mbahen në shkurt, edhe më herët nga plani. Partitë politike nisën ndërkohë fushatën elektorale, me replika të forta në Bundestag.
Jam në lidhje live tani në Gjermani me Auron Dodin, në DW.
Auron, përshëndetje.
Me sa duket, padurim i madh në Gjermani, për një qeveri të re?
Përshëndetje. Ishte një ndjesi e përgjithshme në opinion se situata pezull në Gjermani nuk duhet të zgjatet pa nevojë. Kancelari Olaf Scholz e kuptoi dhe deklaroi të mërkurën në Bundestag se do të kërkojë votëbesimin në 11 dhjetor, për ta debatuar çështjen në 16 dhjetor. Dihet se Scholzi do ta humbasë votëbesimin, pasi pritet ta mbështesin më pak se gjysma e deputetëve. Prandaj grupet parlamentare ranë paraprakisht dakord për 23 shkurtin, për zgjedhjet e parakohshme. Pas kësaj, debati këtë të mërkurë (13.11.) në Bundestag mund të shihet si nisje e fushatës elektorale.
Kancelari socialdemokrat Olaf Scholz dhe lideri i CDU-së konservatore, Friedrich Merz, skicuan tezat kryesore të fushatës. Merzi kishte marrë si mbështetje edhe kryeministrin e Bavarisë, Markus Söder, që foli për herë të parë në Bundestag. Kurse për të Gjelbrit foli ministrja e Jashtme Annalena Baerbock.
Cilat janë disa nga momentet kryesore të debatit?
Kancelari Olaf Scholz e paraqiti veten si garant të kompromisit, të nevojshëm përballë polarizimit. Ai tha se nuk do t’i vërë qytetarët përpara alternativës “ose japim para për forcat e armatosura, ose kemi pensione të sigurta. Ose mbështesim Ukrainën, ose investojmë në Gjermani.” Me këtë Scholzi vuri në shënjestër si të djathtën, që thotë se paratë nuk mjaftojnë për të gjitha, ashtu edhe populistët e majtë, që thonë se paratë që i jepen Ukrainës mungojnë pastaj në projektet sociale.
Me gjithë këtë sugjerim, se socialdemokratët janë zgjidhja më e mirë për njerëzit, shanset që ata ta rifitojnë kancelarinë janë të vogla: 15-16% mbështetje marrin ata aktualisht në sondazhe. Për momentin SPD-ja nuk ka vendosur asse me cilin kandidat për kancelar do të shkojë në zgjedhje. Më shumë se dyfishin e SPD-së, 30-34% merr në sondazhe CDU/CSU-ja konservatore.
Lideri i CDU-së dhe kandidati për kancelar, Friedrich Merz e akuzoi Scholzin, se ka humbur lidhjen me realitetin. “Zoti kancelar federal, ju nuk e keni kuptuar atë që po ndodh jashtë në vend”, tha Merzi. Scholzin ai e akuzoi se e përçan Gjermaninë. Merzi premtoi një politikë “rrënjësisht të re”: me lehtësime tatimore për familjet dhe sipërmarrjet; me politikë të re energjitike, ku do të braktisen “fiksimi i njëanshëm te energjia e erës dhe ajo diellore”. Programi i CDU-së i miratuar në maj të këtij viti përmban kthimin te energjia bërthamore. Merzi tha se për të kontrolluar migrimin e paligjshëm do të praktikohen kthimet pas, që në kufi, dhe kufizimi i bashkimeve familjare. Partia ultra e djathtë dhe kundër të huajve, Alternativa për Gjermaninë, pritet të arrijë rezultate historike në zgjedhje. Çfarë do të thotë kjo për Gjermaninë?
Sipas prognozave aktuale, Alternativa për Gjermaninë, AfD pritet të dalë partia e dytë në zgjedhje, me 19%. Ky do të ishte rezultati më i lartë për një parti ultra të djathtë në Gjermani, që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.
Siç pritej, Friedrich Merzi iu drejtua AfD-së në Bundestag me fjalët se “as përpara, as më vonë, as në ndonjë moment nuk do të ketë bashkëpunim të grupit parlamentar me njerëzit tuaj. Pavarësisht me sa njerëz do të jeni këtu, në Bundestagun Gjerman”.
Kurse kryeministri bavarez Markus Söder i tha Afd-se se „nuk do t’ua lëmë vendin në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë.“ Söderi iu drejtua përfaqësuesve të AfD-së me fjalët se „ju dëshironi një republikë tjetër…përfaqësoni urrejtje, nxitje dhe të bërtitura, ju nuk jeni patriotë“.
Ruajtja e “kordonit sanitar”, apo e “murit të zjarrit” si quhet në Gjermani, ndaj AfD-së, mbetet dakordim i të gjitha partive kryesore në Gjermani.
Kryetarja e AfD-së, Alice Weidel i tha Merzit se “ju e vini murin e zjarrit, mbi të mirën e Gjermanisë”. „Ju nuk jeni në gjendje të vini në jetë asgjë”, shtoi ajo me siguri në vete – duke aluduar që koalicionet jo të afërta ideologjikisht ia vështirësojnë çdo fituesi të zgjedhjeve zbatimin e programeve. Sidoqoftë: pas zgjedhjeve parlamentare AfD-ja do të mbetet njësoj larg pushtetit qendror si para zgjedhjeve.
Cilat koalicione partiake, kanë më shumë gjasa të vijnë në pushtet pas zgjedhjeve në Gjermani?
Kristjandemokratët me Friedrich Merzin do të kenë nevojë pa dyshim për partnerë koalicioni. Edhe nëse e kalojnë 35% të votave në zgjedhje.
Analistët shohin me gjasa më të mëdha një koalicion të CDU/CSU-së me socialdemokratët, SPD-në. Tre koalicione të tilla ka pasur në Gjermani në 25 vitet e fundit. Entuziazmi për këtë lidhje dy polesh ideologjike, nuk është i madh.
Por disa vëzhgues thonë se dy partitë më të mëdha kanë ende rrjetëzimin më të mirë në shoqërinë gjermane. Ato mund të bëjnë punë bindëse në bazë. Për të shpjeguar për shembull, pse duhet investuar ende në forcat e armatosura gjermane. Dhe pse duhet mbështetur ende Ukraina.
Për të qeverisur mund të mjaftojë edhe një koalicion CDU/CSU – Të Gjelbrit – ata marrin rreth 10% në sondazhe. Partner i preferuar ideologjik i CDU/CSU-së mbeten megjithatë liberalët e FDP-së. Po nuk dihet, a do ta kalojnë ata pragun e pesë përqindshit, për të hyrë në Bundestag (aktualisht janë te 3-5%).
Dhe së fundi, cilat tema pritet të mbizotërojnë në fushatën elektorale në Gjermani?
Tema e parë pritet të jetë ekonomia: përcaktimi i një linje të qartë politike për ta mbështetur ekonominë. Temë e dytë do të jetë kontrolli i migrimit të parregullt. Tema e tretë, apo e para në politikën e jashtme, pritet të jetë mbështetja e Ukrainës. 57% përqind e gjermanëve janë për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën, ndonëse mbështetja po bie.
Financimi i ndihmës për Ukrainën mund të kthehet në temë shumë të nxehtë në Gjermani – nëse SHBA me presidentin Trump e ndërpresin mbështetjen për Ukrainën dhe lufta në Ukrainë vazhdon. Kjo bëhet më signifikante, pasi veç mosmarrëveshjeve ideologjike, qeveria që po largohet në Gjermani u dëmtua për shkaqe të ngjashme, me ato që minuan demokratët në SHBA:
Këto qenë, së pari, pakënaqësia me shtrenjtimin e jetesës. Në Gjermani u ngritën pagat, por u perceptua se kjo nuk e kompensoi shtrenjtimin. Koalicioni u dëmtua së dyti nga frika për humbjen e kontrollit ndaj migracionit të paligjshëm. Sulmet vdekjeprurëse të disa të huajve këtu përhapën ankth. Së treti, koalicioni u dëmtua nga dobësimi i besimit te politikanët e njohur. Në Gjermani shënuan suksese të bujshme dy parti populiste. Fatmirësisht në Gjermani, koalicioni i forcave e demokratike vazhdon të jetë i gjerë.