Shpëtim Idrizi, kreu i PDIU-së, është shpresëplotë se zgjedhjet e njëkohshme, parlamentare dhe lokale janë afër dhe beson se rikthimi i vendimmarrjes te sovrani zgjidh krizën politike. Aleati i PD-së thotë për “Gazeta Shqiptare” se beteja e opozitës bëhet kundër mbipushtetit të Edi Ramës. Rilindjen pasi 21 viteve pushtet dhe 7 viteve qeverisje, Shpëtim Idrizi shprehet se është e plakur, e lodhur, ndërsa opozitës i duhet kohezion. Kreu i PDIU-së flet për objektivat e koalicionit opozitar, hapje të opozitës pavarësisht siglës së partive, dialog me qytetarët, ekip të ri me afrimin e të rinjve e intelektualëve, platformë që zgjidh krizën si dhe protesta deri në zgjedhje të reja qendrore e lokale dhe krijimin e një qeverie tranzitore, e cila të bëhet garante e votës së lirë. Z. Idrizi thotë se në këtë platformë janë përfshirë edhe propozimet e PDIU-së, ndërkohë që ka dakordësinë e liderit demokrat, Lulzim Basha, përmes një marrëveshjeje të të dyja palëve për angazhimin e çështjes kombëtare, në mënyrë të veçantë, çështjes çame.

Z.Idrizi, një betejë e gjatë politike e opozitës kundër Edi Ramës, por ai sërish është në pushtet. Si mund të shkohet drejt zgjidhjeve ligjore? Çfarë e zgjidh konkretisht krizën politike?
Ky është thelbi i betejës së opozitës sot! I duhet të luftojë kundër mbipushtetit të kreut të Rilindjes, që ka uzurpuar të gjitha pushtetet në Shqipëri duke filluar nga PS-ja, parlamenti, qeveria, prokuroria, mosfunksionimi i asnjë arbitri si Gjykata Kushtetuese e Gjykata e Lartë dhe që përdor pushtetin në bashkëpunim me krimin për të manipuluar çdo votim në Shqipëri. Le t’u kthehemi disa fakteve që janë alarmante, për të treguar dramën e vërtetë të vendit. Sot Shqipëria sipas “The Economist” është një vend me demokraci jofunksionale, në kufijtë e autoritarizmit. Kësaj tabloje duhet t’i shtojmë edhe krizën ekonomike, ndarjen e buxhetit të shtetit në një grusht njerëzish e skandalet korruptive, që na shoqërojnë çdo javë. Një tërmet demografik ka ndodhur në vetëm pak vite, 400 mijë shqiptarë e kanë lënë Shqipërinë në këto 4 vjet, 70 për qind e shqiptarëve duan të largohen nga vendi. Sot mosha mesatare e shqiptarëve nga 26 vjeç në vitin 1991, ka shkuar në 46 vjeç. Pagat e pensionet u bënë vite që nuk janë rritur, por as janë indeksuar me inflacionin në vite… Mosha e pensionit për shqiptarët po shkon 70 vjeç. Ka dhe shumë indikatorë të tjerë, që tregojnë qartazi rritjen e varfërisë e mbi të gjitha në këto 7 vite del e qartë se nuk ka asnjë vizion apo reformë për ekonominë. Sot aktiviteti ekonomik i vendit bazohet mbi tregtinë, shërbime e ndërtim. Sot Shqipëria nuk prodhon e sigurisht nuk punëson, kjo ul kërkesën për mallra e shërbime, e kështu jemi futur në një spirale të rrezikshme.

Rritja ekonomike është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me kapitalin njerëzor, e kjo minë me sahat për ekonominë e sotme dhe të nesërme, por edhe për të ardhmen e Shqipërisë nuk mund të zëvendësohet me projekte të një qeverie të papërgjegjshme për të importuar fuqi punëtore nga Pakistani, India, Siria a nga Kina. Aspirata jonë e kahershme që në kohën e rilindësve të vërtetë është ta bëjmë Shqipërinë jo vetëm gjeografikisht pjesë të Europës, por shqiptarët pjesë të BE-së politikisht e shpirtërisht, e jo të sjellim pakistanezët, indianët e kinezët për t’i zëvendësuar shqiptarët që marrin arratinë. Është i çuditshëm degradimi në këto vite i shtetit shqiptar, por edhe përpjekja titanike e Ramës për ta zhvlerësuar e bërë qesharak. Sot kemi një parlament qesharak, një drejtësi të paralizuar pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë e me 5000 çështje pezull, që sikur të nisnin sot shqyrtimin, do të duheshin vite e vite që qytetarët të marrin thjesht një përgjigje, se të pretendosh për drejtësi në këto kushte, duket e tepërt. Sot kemi një prokurori që i është dhënë me PPP Rilindjes e që duket s’e ka hiç merak të duket si e pavarur.

Vetë qeverisja është katandisur në një portal, ku qytetarët i shkruajnë kryetarit të Rilindjes për hallet e problemet dhe 160 mijë të punësuarit e shtetit u kthejnë përgjigje qytetarëve. Njësoj siç ndodhte me sulltanët në Perandorinë Osmane, ku përveç administratës, populli i thjeshtë ia linte ankesat e veta direkt sulltanit në një kosh të madh çdo të premte, kur ai shkonte në xhami… Apo në kohën e Dullës, që e fillonte ditën e punës me letrat nga populli… Tani, me të njëjtin mentalitet mesjetar, duhet t’i shkruajmë portalit “Qeverisja që duam”, ndërsa administrata e tërë shtetërore nuk vlen më asgjë. Dhe në fakt është e kuptueshme pse nuk vlen… sepse jemi i vetmi vend në botë që kur ndërrohen qeveritë, ndërrohen deri edhe pastrueset. Vetëm me Rilindjen ndodh që edhe pastruesja duhet të çojë 4 robt e shtëpisë për të votuar për Ramën, se ndryshe ia mbajnë peng edhe fshesën dhe bukën e gojës. Ky është shteti qesharak, që Rama i dha vizionin e fytyrën e vet pas 21 vitesh në pushtet e pas 7 vitesh kryeministër. Sot qytetarët paguajnë taksa jo për të marrë shërbime nga shteti, por për të garantuar votat e Rilindjes nëpërmjet të punësuarve në administratë, tenderave, PPP, korrupsionit endemik, krimit elektoral, që rilindja e Ramës të rrijë në pushtet.
Të gjitha sa më sipër janë denoncuar nga opozita dhe sot janë të noterizuara nga raporti i OSBE-ODHIR, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe 9 kushtet e Bundestagut gjerman.

Për rikthimin e vendit dhe institucioneve në demokraci funksionale, por edhe për të shfryrë krizën politike ka vetëm një rrugë që të gjitha vendet normale e përdorin, përveç Shqipërisë, dhe që janë zgjedhjet e parakohshme, pra rikthimi i vendimmarrjes te sovrani. Por kësaj here opozita është e vendosur për të garantuar të gjitha prerogativat për zgjedhje të lira, të barabarta, që Shqipëria s’i ka bërë në 30 vjet dhe për të shmangur parregullsitë, bazuar në raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e fundit.

Intervistën e plotë e gjeni sot në Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb