KOSOVË

Këshilli drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka përfunduar takimin ku është votuar që të bëjnë koalicion parazgjedhor me PSD-në e Shpend Ahmetit.

Kështu tha pas takimit kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. “Ka dominuar tema e koalicionit me PSD-në në këtë takim. Është votuar me shumicë votash, me dy abstenime, koalicioni parazgjedhor me PSD-në”, tha ai.

AAK gjithashtu e ka konfirmuar edhe përmes një komunikate për mediat.
Aty thuhet se i është dhënë mandati kryetarit Ramush Haradinaj që ta zgjerojë koalicionin dhe eventualisht zgjerimin e tij me parti tjera.
“Këshilli Drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, e ka votuar marrëveshjen për koalicion parazgjedhor me Partinë Social Demokrate të Kosovës. Njëkohësisht, Këshilli Drejtues i AAK-së, që është organi më i lartë drejtues i Partisë, e ka mandatuar kryetarin e AAK-së, z. Ramush Haradinaj, për diskutime për zgjerimin eventual të Koalicionit parazgjedhor të AAK-së”, thuhet në komunikatën e AAK-së

Gjithashtu ka përfunduar mbledhja e Këshillit drejtues të PSD-së në të cilën pritej të vendosej lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes së koalicionit parazgjedhor me AAK-në.

Pas kësaj mbledhje, anëtarët e PSD-së nuk janë deklaruar. Mësohet gjithashtu se është vendosur që koalicioni të jetë parazgjedhor, pra AAK dhe PSD do të garojnë në listë të përbashkët zgjedhore.

AAK-ja ka qenë pjesë e qeverisë, duke e udhëhequr atë. Ndërsa PSD-ja ka qenë pjesë e opozitës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: