Me anë të një deklarate për shtyp, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ngre shqetësimin e mospublikimit në kohë të listave paraprake të zgjedhësve, ndërsa shton se ato vijojnë të kenë ende probleme.

“Më datën 14 janar 2014 të gjitha Zyrat e Gjendjes Civile pranë Njësive të Qeverisjes Vendore (NJQV) duhet të publikonin në ambientet e tyre ose në ambientet pranë tyre, por që kanë akses të lirë për publikun, ekstraktin e parë të përbërësve zgjedhorë, pra Listat e Zgjedhësve, të Qendrave të Votimit që janë në juridiksionin e këtyre zyrave”, vëren KVV.

Më tej, në deklaratë thuhet se edhe udhëzimi Ministrisë së Brendshme, për këtë rast është i paqartë dhe lë shteg për interpretim të ndryshëm nga Kodi Zgjedhor.

“Ndryshe nga sa parashikohet në Kodin Zgjedhor, udhëzimi i Ministrit të Brendshëm nuk e përmend fare detyrimin që rrjedh prej Kodit Zgjedhor që “Publikimi bëhet në ambientet e zyrave të gjendjes civile ose në ambientet pranë tyre me akses të lirë për publikun”. Madje udhëzimi është i paqartë dhe lë shteg për interpretim të ndryshëm nga ai i Kodit Zgjedhor, pasi sipas tij Zyrat e Gjendjes Civile mund të bëjnë publikimin e listave “sipas vendbanimit dhe qendrave të votimit, nën juridiksionin e tyre territorial”. Ky lloj interpretimi jo vetëm që është në shkelje të Kodit Zgjedhor, por është i paqartë dhe është jo-efikas në qëllimin e tij për informimin e qytetarëve. Kjo paqartësi shtohet akoma më shumë nëse merret parasysh fakti se administrata dhe drejtuesit e NJQV-ve kanë pak ose aspak njohuri lidhur me parashikimet e Kodit Zgjedhor. Për më tepër, duke qenë se për këtë proces Kodi Zgjedhor ngarkon Ministrin e Brendshëm për të nxjerrë Udhëzim të Posaçëm, kjo administratë dhe këta drejtues të NJQV-ve i referohen posaçërisht vetëm këtij udhëzimi. Vështirësitë logjistike në të cilat mund të hasë zbatimi me korrektësi i publikimit të listave, sikundër parashikohet në Kod, duhet të ishin marrë në shqyrtim më parë nga Ministria e Brendshme e cila në bashkëpunim me Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve dhe kryetarët e Njësive të Qeverisjes Vendore, të kishin adresuar zgjidhjen e duhur që më parë.
Në një situatë të tillë nisi procesi i hartimit dhe saktësimit të listave të zgjedhësve i cili do të zgjasë deri më datën 11 Maj, kur mbyllet hartimi i listës përfundimtare për Zgjedhjet Lokale të 21 qershorit 2015. Koalicioni po monitoron procesin e shpalljes së ekstraktit të parë të përbërësve zgjedhorë si dhe ka marrë kontakte me drejtues të ndryshëm të Njësive të Qeverisjes Vendore si dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile (DPGJC).Koalicioni vlerëson përmirësimin e dukshëm në komunikimin, transparencën dhe angazhimin paraprak të DPGJC-së për të siguruar zhvillimin në kohë të procesit, i cili në një pjesë të mirë të NJQV-ve nisi në kohë dhe konform detyrimit të përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Por nga monitorimi i bërë vërehet se një pjesë e Njësive të Qeverisjes Vendore nuk i shpalli këto lista në afatin e kërkuar nga ligji, madje disa prej tyre vazhdojnë ende mos t’i kenë shpallur”.

Më tej Koalicioni i kërkon Ministrisë së Brendshme të udhëzojë drejt sikundër parashikohet në Kodin Zgjedhor, Njësitë e Qeverisjes Vendore si dhe Zyrat e Gjendjes Civile për mënyrën dhe vendin e shpalljes së listave të zgjedhësve.

“Ministria e Brendshme të ushtrojë autoritetin e vet për të ndihmuar Zyrat e Gjendjes Civile dhe Njësitë e Qeverisjes Vendore, për të përmbushur detyrimet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor lidhur me realizmin më të mirë të këtij procesi, si dhe duke i furnizuar ata mjaftueshëm me bazën e nevojshme materiale, qoftë për printimin e listave, qoftë edhe për afishimin e tyre në stenda të posaçme, apo për nevoja të tjera që mund të paraqiten”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: