Kreu i PDIU, Shpetim Idrizi, nga Durrësi ka komentuar çështjen çame, duke thënë se do të vazhdojë të jetë një nga prioritetet kryesore të partisë.
Idrizi tha se askush s’ka të drejtë të mendojë se mund të zhdukë Çamërinë, teksa shtoi se ‘të gjithë bashkë duhet të ngrejmë zërin për të detyruar qeverinë shqiptare që të reagojë, pas deklaratës së palës greke e cila tha se çështja çame nuk ekziston’.
“Kjo ka qenë që në rrugëtimin tonë kemi bërë shumëçka dhe do të bëjmë. Që të mos harrohet padrejtësia dhe për të vënë drejtësi që do vendoste raporte të mira me Shqipërisë dhe Greqisë. Vazhdimisht na shkruajnë çfarë keni bërë dhe çfarë nuk keni bërë, mirëpo, unë nuk kam premtuar që do marr Çamërinë dhe do ua sjell juve nëpër shtëpitë tuaja. Të gjithë ne bashkë duhet të ngrejmë zërin për të detyruar çdo qeveri shqiptare që ka detyrime nga rezoluta çame e Shqipërisë, të ulet si i barabartë me dokumente me palën greke.
Askush s’ka të drejtë të mendojë se mund të zhdukë Çamërinë. Duke qenë një komunitet që gëlon, patjetër që ka të majtë dhe të djathtë por mos flisni për Çamërinë. Ka Parlamenti edhe deputetë nga Parlamenti Çam, shkojnë si të majtë dhe të djathtë dhe s’ka problem. Ne punuam fortë për të pasur një rezolutë. Mirë pala greke thotë që nuk ekziston, po pala shqiptare pse nuk reagon. Mehdi Frashëri, Fan Noli e kanë mbrojtur Çamërinë në Lidhjen e Kombeve dhe argumenti ka sa të duash. Ne ekzistojmë për kauza të tilla të mëdha kombëtare”, tha Idrizi.
(BalkanWeb)