TIRANE – Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule theksoi se partia që ai drejton ka nisur fazën përgatitore për zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Në një konferencë për shtyp, Dule tha se kandidaturat e PBDNJ-së do të jenë njerëz me integritet, nga komuniteti dhe për komunitetin.
“Do të jenë disa javë të analizës së detajuar të çdo njësie të re të pushtetit vendor, kontaktet me komunitetin dhe do të konkludojë me propozimin e kandidaturave më të përshtatshme, si për krerët e këtyre njësive, ashtu dhe për këshillat e tyre. Më pas këto kandidatura do t’i nënshtrohen procesit të zyrtarizmit. Objektivi i PBDNJ nuk mund të jetë larg vlerave tradicionale që ajo përfaqëson, njerëz me integritet nga komuniteti, njerëz për komunitetin”- deklaroi Dule.
Duke iu referuar situatës së shkaktuar nga përmbytjet në jug të vendit, kreu i PBDNJ-së u bëri thirrje strukturave shtetërore që të bëjnë maksimumin për tu gjendur në mbështetje të banorëve të dëmtuar.
“Strukturat të gjenden në mbështetje të të gjithë bashkëqytetarëve tanë, si për trajtimin e situatës dhe rehabilitimin e pasojave që ajo po lë pas. U drejtohemi bashkëqytetarëve tanë që kanë mundësi me mënyrën e tyre financiare apo materiale të mos kursehen me qëllim që këto pasoja të jenë sa më të zbutura për bashkëqytetarët tanë.”- deklaroi Dule.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb