VLORË- Departamenti për ish-të Përndjekurit Politikë dhe Pronarët në Partinë Demokratike organizoi dje konventën kombëtare për “Pjesëmarrjen në politikëbërje të familjeve të të përndjekurve politike, si domosdoshmëri për demokracinë”.

Në këtë takim të organizuar në Vlorë nga Partia Demokratike u bashkuan shoqatat e ish- të përndjekurve politike, ish-të burgosurve, të internuarve dhe të dëbuarve si dhe Unioni Mbarëkombëtar i të Përndjekurve dhe Burgosurve Politike.

Pjesëmarrësit e këtij takimi shprehën vullnetin për bashkimin e të gjithë shtresës së përndjekurve politikë rreth Partisë Demokratike, si dhe deklaruan nevojën imediate që ka vendi për përfshirjen e kësaj shtrese politike në vendimmarrje dhe politikëbërje.

Në takim morën pjesë të përndjekurit nga qyteti Vlorës, Sarandës, Delvinës dhe Himarës. Konventën e përshëndeti Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, i cili theksoi vlerësimin që kjo forcë ka për këto grupime të shoqërisë.

Gjithashtu Ristani pohoi rëndësinë që ka në Partinë Demokratike, Departamenti për të Përndjekurit dhe Pronarët, si departament që përbën dy shtyllat kryesore identitare të PD, të përndjekurit dhe pronarët.

Ai tha se aktualisht PD po harton një platformë të qartë dhe të mirëmenduar bashkëpunimi për të bërë të mundur angazhimin e të gjithë familjeve, fëmijëve, nipërve dhe mbesave të përndjekurve politikë, pranë Partisë Demokratike.

Në emër të shoqatës Antikomuniste Demokrate të Përndjekurve Politikë, Simon Mirakaj vlerësoi atë çfarë ka bërë Partia Demokratike dhe u shpreh se ka ende për të bërë.

Ndërsa në emër të Unionit Mbarëkombëtar të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë, Besim Ndregjoni shprehu zhgënjimin për qeverinë aktuale dhe bëri thirrje për afrim pranë Partisë Demokratike dhe politikave të saj.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb