FIER

Kryeministri Edi Rama ka rikonfirmuar Armando Subashin si kandidat për një mandat të dytë në bashkinë e Fierit për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Duke folur për aktivitetin në kuadër të projektit “100 fshatrat”, kryeministri tha se vota në zgjedhjet e qershorit për kandidatët e PS-së do të jetë një mundësi e re për rilindjen rurale.

Teksa foli para banorëve të Libofshës, Rama pohoi se projektet e nisura nga qeveria do të shkojnë përpara me ndihmën e Subashit në krye të bashkisë së Fierit.

“Patjetër që edhe ajo u tha nga kryetari i bashkisë si nevojë strategjike e zhvillimit të zonës, dalja në det, është në vëmendjen tonë dhe do të jetë një nga projektet që do të zhvillojmë së bashku gjatë mandatit të dytë të kryetarit të bashkisë. Investimet në ujësjellës, vaditje, kanalizime, arsim në këtë zonë.

Kemi identifikuar si potencial të rëndësishëm për zhvillimin e këtyre fshatrave, sheshet e këtyre fshatrave, jo vetëm për ata që jetojnë këtu, por edhe ata që do të vijnë këtu për të pirë një kafe apo gotë raki. Kur duan të qëndrojnë ku? Këtë duhet ta zgjidhim. Qeveria dhe programi ‘100 fshatrave’ ka fonde grant për bujtina”, tha Rama.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb