DIBËR- Dibranët kanë votuar dje për të zgjedhur kryetarin e Bashkisë që do t’i drejtojë në vitet e ardhshme. Pas 18 orësh numërimi të votave, është lexuar verdikti i qytetarëve, të cilët me votë kanë zgjedhur Muharrem Ramën si kryebashkiak të tyre. Pas numërimit të 118 kutive të votimit nga e gjithë Dibra, ka rezultuar se kandidati i ASHE-së Muharrem Rama ka marrë 18602 vota, 4167 vota më shumë në krahasim me kandidatin e djathtë Sherefedin Shehu, i cili ka marrë 14435 vota.

Votimi i djeshëm u shoqërua nga akuza nga të dy palët politike. Ndërsa PD denoncoi se banorët e një fshati në Dibër kapën një furgon me miell që do shpërndahej në këmbim të votës, nuk munguan as akuzat për fotografimin e votës nga të dyja palët.


Duke iu referuar të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishin 33978 qytetarë që kanë votuar për kryetarin e ri të Bashkisë, i cili do të zëvendësojë në këtë post Shukri Xhelilin, të shkarkuar pas publikimit të videoskandali ku i kërkonte favore seksuale një varëseje të tij në bashki në këmbim të një vendi pune më të mirë.


Gjithashtu është vënë re edhe një pjesëmarrje e madhe e femrave, ku si rrallë herë kanë votuar më tepër se meshkujt duke pasur 58% të pjesmarrjes.


Rreth orës 22:35 të mbrëmjes së djeshme ka përfundur pa asnjë problem edhe dorëzimi i materialeve zgjedhore të 118 qendrave të votimit në KZAZ. Gjatë shoqërimit dhe dorëzimit nuk është konstatuar asnjë problem. Policia vijon shërbimin në ruajtien fizike të KZAZ si dhe zbatimin e detyrave të përcaktuara deri në përfundim të gjithë procesit zgjedhor.

PDIU URON FITUESIN NË DIBËR: PËRGJIGJE NDAJ SULMEVE TË TURLIFARLLOJ PSEUDOANALISTËVE
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar pas shpalljes së rezultatit në Dibër, ku fitoi kandidati i ASHE, Muharrem Rama. “PDIU uron fituesin e garës për kryetar të Bashkisë së Dibrës, z. Muharrem Rama. Fitorja e Aleancës për Shqipërinë Evropiane është një fitore për Dibrën dhe dibranët”, shprehet PDIU.

Në deklaratë thuhet se fitorja është përgjigje edhe ndaj sulmeve të kundërshtarit politik por edhe ‘pseudoanalistëve”.

“Po ashtu, fitorja është përgjigja më e mirë ndaj sulmit të paprecedentë njëmujor, jo vetëm nga kundërshtari politik, por dhe turlifarlloj pseudoanalistësh, të cilët, në kufijtë e racizmit etiketuan degën e PDIU me epitete si çamët e Dibrës, etj.

Është e vërtetë që nuk ka shqiptarë të Çamërisë në Dibër, por ka PDIU, sepse ka dibranë patriotë që e duan Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

Prandaj, urojmë z. Rama, ASHE-në dhe degën e PDIU-së në Dibër dhe veçanërisht, shprehim mirënjohjen për dibranët, për mbështetjen që i japin PDIU-së, larg barrierave antikombëtare krahinore, që pseudoanalistë me frymëzime partiake duan të fryjnë në dëm të dobisë kombëtare”, deklaron PDIU.

KQZ: PROCESI I ZGJEDHJEVE NË DIBËR, NORMAL DHE I QETË
Ora 18:35- Në përfundim të procesit të numërimit të votave, zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxhaj, tha se procesi zgjedhjeve në Dibër ka qenë i qetë.

Kandidati i ASHE, Muharrem Rama ka marrë 18 597 vota, 56.3%
Kandidati i djathtë Sherefedin Shehu ka marrë 14 435 vota, 43.7 %.
Sipas KQZ procesi i votimit dhe i numërimit ka ecur normalisht dhe ka qenë i qetë.

SHEHU FITORE VETËM NË NJË NJËSI, HUMB EDHE NË FSHATIN E LINDJES
Ora 18:15- Sipas të dhënave nga KZAZ në Dibër, kandidati i djathtë Sherefedin Shehu ka fituar vetëm një njësi administrative nga 118, atë të Kalasë së Dodës, duke humbur 117 të tjera. Madje Shehu ka humbur edhe në fshatin e tij të lindjes, Sllovë, ku kundërshtari i tij Rama ka mbi 100 vota plus.

GJIKNURI: DO TË SHIKOHET PUNA E KOALICIONIT, NE SOLLËM NJË NJERI, PD NJË SLOGAN
Ora 18:10- Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri ka folur pas mbylljes së procesit të numërimit në Dibër, ku rezultoi fitues me mbi 4000 vota plus kandidati i së majtës, Muharrem Rama. Gjiknuri deklaroi se do të shikohet puna e koalicioni.

“Janë dibranët që votuan për djalin e tyre. Politika dhe kandidati ynë mishëroheshin në një. Do të shikohet edhe puna e koalicionit. Përgjithësisht koalicioni ka qenë pjesë e kësaj fitoreje. Ne bëmë fushatë për Dibrën ata për Tiranën, ne sollë një njeri ata një slogan”, tha Gjiknuri.

Ora 18:00- Përfundon numërimi i votave, kryeson Muharrem Rama
Pas numërimit të 118 kutive të votimit nga e gjithë Dibra, ka rezultuar se kandidati i ASHE-së Muharrem Rama ka marrë 14703 vota, 4194 vota më shumë në krahasim me kandidatin e djathtë Sherefedin Shehu, i cili ka marrë 11358 vota.

Ora 17:00 -Sadri Abazi: Zgjodhëm njeriun e duhur, për drejtimin e duhur
Deputeti socialist, Sadri Abazi tha se koalicioni i majtë zgjodhi njeriun e duhur, për drejtimin e duhur të Dibrës. Në një deklaratë për mediat, deputeti Abazi shpalli fitoren e kandidatit Muharem Rama, ndërsa premtoi se ai do të jetë në shërbim të qytetarëve të Dibrës.

“Gjetëm njeriun e duhur, për kohen e duhur dhe sigurisht për drejtimin e duhur. Ju premtojmë se kryetari i Bashkisë me marrjen e detyrës do të jetë në shërbim të qytetarëve të Dibrës. I themi ndiq shembullin e Veliajt, që të jesh në shërbim të qytetarëve. Kjo është një mbështetje që qytetarët e Dibrës i dhanë kryeministrit Rama dhe qeverisë për këto tre vite qeverisje.”- deklaroi Abazi.

ORA 14:20-Anëtari i KZAZ 19: Procesi parashikohet të mbyllet në orën 21:00-22:00 të mbrëmjes
Jashari, anëtari i KZAZ 19 tha se tashmë procesi i numërimit po vijon normalisht, duke theksuar se nuk parashikohet të ketë ndërprerje të procesit, por vetëm ndërrim të numëruesve. Jashari tha se procesi parashikohet të përmbyllet në orën 21:00-22:00 të mbrëmjes.

Ora 12:55- Policia: Personat e paautorizuar u larguan nga KZAZ
Rreth orës 12:25, me kërkesë të KZAZ-së, efektivat e Policisë Dibër, me Vendim nr 1 të KZAZ-së, kanë ndërhyrë në ambientet e brendshme të KZAZ-së ku po zhvillohet procesi i numërimit të votave, për të verifikuar dhe larguar nga ambientet e brendshme të KZAZ-së, të gjithë ata persona që kanë hyrë pa autorizim apo ata persona që ka këkuar KZAZ-ja për ti nxjerrë jashtë. Polica ka kryer procesin e verifikimit të vlefshmërisë së autorizimit për secilin person që ndodhet brenda qendrës së numërimit të votave ku ka rezultuar se disa persona të cilët i kishin marrë vetë anëtarët e komisioneve të numërimit të votave, ishin të pa paisur me autorizim përkatës. Në këto kushte efektivat e Policisë kanë nxjerrë jashtë kësaj qendre këta persona. Pas rivendosjes së rregullit dhe qetësisë në ambientet e brendshme të KZAZ-së, si dhe nxjerrjen jashtë të personave të pa autorizuar, punonjësit e policisë me Vendim nr 2 të KZAZ-së, në orën 12:45, janë larguar nga ambientet e brendshme të qendrës së numërimit të votave.
Aktualisht ka rifilluar procesi i numërimit të votave dhe shërbimet e policisë vijojnë të kryejnë detyrën për ruajtjen fizike të godinës, si dhe për të mos lejuar asnjë person të pa autorizuar të hyjë në ambientet e brendshme të numërimit të votave.

Ora 12:55- Pas ndërprerjes për disa minuta, ka rinisur procesi i numrit të votave për kryetar Bashkie në Dibër. Numërimi u ndërpre pasi brenda sallës kishte persona të autorizuar.
Ora 12:30- Është ndërprerë procesi i numërimit në KZAZ 19 në Peshkopi, për shkak se raportojet që persona të paautorizuar kanë hyrë në sallë,Gazetarja Elda Menga raporton se brenda KZAZ-së kanë hyrë persona të paautorizuar, çka ka sjellë ndërhyrjen e forcave të policisë.

Ora 11:42- Numërohen 50 kuti. Kandidati i ASHE-së është në epërsi dhe ka 56,61 të votave, krahasuar me kandidatin e djathtë 43,39%.

Ora 11:40- Nga KQZ-ja u sqarua sot se procesi i numërimit të votave për të nxjerrë fituesin ka rinisur sot në orën 10:00 pasi u ndërpre në 04:40 minuta. Sipas zëdhënëses së KQZ-së, Drilona Hoxhaj ka pasur ndryshme në anëtarësinë e grupeve të numërimit. Më tej iu kërkua numëruesve të zbatojnë kodin zgjedhor dhe të vijojnë me të njëjtin ritëm numërimin.

Ora:10:43-Pas një ndërprerje disaorëshe, 32 numërues kanë rinisur procesin e numërimit të kutive të votimit. Mësohet se në qendrën në KZAZ nr.19 nuk ka të pranishëm vëzhgues dhe deputetë të Partisë Demokratike, ndërsa procesi po ndiqet nga vëzhgues të së majtës.

Ora 04:25- Përfundon numërimi në 6 nga 19 QV në Peshkopi.  Në 6 kutitë e para në Peshkopi, Muharrem Rama ka marrë 1432 vota, ndërsa Sherefedin Shehu ka marrë 967 vota. Në 6 kutitë e para në Peshkopi, Rama kryeson me 465 vota ndaj Shehut.

Ora 03:51– Përfundon numërimi në 36 nga 118 QV. Në 36 QV Muharrem Rama ka marrë 5362 vota ndërsa Sherefedin Shehu ka marrë 4136 vota. Në 36 QV të numëruara Rama kryeson me 1231 vota ndaj Shehut.

Ora 03:46- Përfundon numërimi në 8 QV në Njësinë administrative Melan. Në Melan, Muharrem Rama ka marrë 1056 vota, ndërsa Sherefedin Shehu ka marrë 883 vota. Në Melan, Rama kryeson ndaj Shehut me 173 vota.

Ora 03:11- Ka nisur numërimi i votave në Njësinë administrative Melan. Në kutinë e parë në Melan, Muharrem Rama ka marrë 122 vota ndërsa Sherefedin Shehu ka marrë 117 vota. Në kutinë e parë në Melan, Muharrem Rama kryeson me 5 vota ndaj Sherefedin Shehut.

Ora 02:54- Ka përfunduar numërimi në 25 nga 118 QV në Dibër. Për 25 nga 118 QV, Muharrem Rama ka marrë 3603 vota, Sherefedin Shehu ka marrë 2557 vota. Në Maqellarë, Muharrem Rama ka marrë 3057 vota ndërsa Sherefedin Shehu ka marrë 2469 vota. Në Maqellarë, Muharrem Rama kryeson ndaj Sherefedin Shehut me 588 vota.

Ora 02:44- Në Maqellarë janë numëruar deri tani 14 nga 19 QV. Kandidati Muharrem Rama ka marrë 1986 vota, ndërsa Sherefedin Shehu ka marrë 1455 vota. Rama kryeson ndaj Shehut me 531 vota.

Ora 02:37- Përfundon numërimi në 22 nga 118 QV. Deri tani në Maqellarë janë numëruar 13 nga 19 QV. Kandidati Muharrem Rama ka marrë 1920 vota, ndërsa Sherefedin Shehu ka marrë 1310 vota. Muharrem Rama kryeson me 610 vota ndaj Shehut.

Ora 02:30- Janë numëruar deri tani 12 nga 19 QV në Maqellarë. Kandidati Muharrem Rama ka marrë 1824 vota ndërsa  Sherefedin Shehu ka marrë 1275 vota. Muharrem Rama kryeson me 549 vota ndaj Sherefedin Shehut.

Ora 01:39- Përfundon numërimi në 5 QV e para në Maqellarë. Kandidati Muharrem Rama ka marrë 881 vota ndërsa Sherefedin Shehu 687 vota. Në 5 QV në Maqellarë, Muharrem Rama kryeson ndaj Sherefedin Shehut me 194 vota. Rezultati për 14 QV të mbyllura, 2121 vota për Muharrem Ramën dhe 1471 vota për Sherefedin Shehun.

Ora 00:46- Përfundon numërimi i votave në Njësinë administrative Luzni. Në Luzni 826 vota për Muharrem Ramën dhe 411 vota për Sherefedin Shehun. Në Luzni 32 vota të pavlefshme.

Ora 00:40- Nis numërimi i votave në Njësinë administrative Maqellarë. Në njësinë administrative Maqellarë ka 19 QV.

Ora 00:25-
Përfundon numërimi i votave në Selishtë. Muharrem Rama ka marrë 423 vota ndërsa kandidati Sherefedin Shehu ka marrë 373 vota. Diferenca mes Ramës dhe Shehut është 50 vota. Në Njësinë Administrative Selishtë, 796 vota të vlefshme dhe 23 vota të pavlefshme.

Ora 00:05– Zgjedhjet, përfundon numërimi në kutinë e parë në Luzni. Zgjedhjet në Dibër, Muharrem Rama 85 vota, Sherefedin Shehu 58. Në kutinë e parë Luzni, 143 vota të vlefshme, 2 të pavlefshme. Zgjedhjet në Dibër, pjesëmarrja në Luzni 46.2%.

Vijon numërimi për Njësinë administrative Selishtë.

Ora 23:55 Grupet e numërimit kanë marrë në dorë kutitë e qendrave të votimit të njësive administrative Selishtë dhe Luzni. Sipas raportimeve të gazetarëve tanë në terren, aktualisht po numërohet Qendra e Votimit 977 Selishtë.

Diber, nis numerimi (2)

Në orën 22:10 ka përfunduar dorëzimi i kutive të votimit në KZAZ 19, ku pas trajnimit të numëruesve ka filluar edhe procesi i numërimit të votave. KQZ deklaroi se pjesëmarrja në votime ditën e sotme ka qenë 60%.

pjesemarrja Diber

Nga ana tjetër Shefi i komisariatit Dibër, Robert Ago tha për “News24” se procesi zgjedhor në Dibër është shoqëruar me deklarata të vazhdueshme. Ago tha se gjatë ditës së sotme ka patur 2 incidente. Sipas tij, nuk ka patur ndonjë denoncim nga PD. Ai tha se media ka përcjellë shumë mirë lëvizjet e policisë, duke theksuar se shërbimet e policisë kanë qenë në efiçencë të plotë edhe gjatë transportit të kutive.

[embeddoc url=”http://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2016/09/Pjesmarrje-Diber.pdf”]

(m.k/ma.ar/ed.me/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb