Emmanuel Macron pësoi një humbje të hidhur në raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare në Francë, ndërsa partia e tij centriste renditet e 3-ta, pas Tubimit Kombëtar të Marine Le Pen dhe koalicionit Fronti i ri Popullor, ku përfshihen edhe ekstremistët e majtë.

Në raundin e dytë që do të mbahet më 7 korrik, Macron ndodhet përballë një zgjedhjeje: të tërheqë kandidatët e tij që dolën në 3-t në raundin e parë dhe të bëjë thirrje për mbështetjen e Frontit të ri Popullor, apo do të tentojë të shpëtojë partinë centriste, por që mund të riskojë duke i dhënë mbështetje indirekt kandidatëve të “Tubimit Kombëtar”.

Mediat ndërkombëtare duke analizuar rezultatin e zgjedhjeve në raundin e parë, shkruajnë se për 46-vjeçarin Emmanuel Macron,  zgjedhjet ishin një poshtërim po aq personal sa ngritja e tij mahnitëse në presidencë si një i huaj me fytyrë të freskët shtatë vjet më parë.

Ekonomia e dytë më e madhe e Europës dhe e vetmja fuqi e armatosur bërthamore e BE-së tani është më afër se kurrë krijimit të një qeverie të ekstremit të djathtë për herë të parë, pasi Fronti Nacional (RN) i Marine Le Pen mori një epërsi dramatike në fazën e parë të votimit.

Nëse votimi i raundit të dytë më 7 korrik jep një shumicë parlamentare për Tubimin Kombëtar, dhe parashikimet sugjerojnë se është e mundur, Franca do të jetë në ujëra të paeksploruara: Vendi do të qeveriset, të paktën pjesërisht, nga politikanë që simpatizojnë Vladimir Putin, teksa zotohen të shkatërrojnë Bashkimin Europian, të bëjnë luftë kundër emigracionit dhe të largohen nga NATO.

Edhe pse partia e Le Pen ka zbutur disa nga pozicionet e saj më të ashpra, ajo mbetet thellësisht skeptike ndaj pozicioneve politike kryesore perëndimore. Një fitore në këto zgjedhje do ti jepte një nxitje të fuqishme shansevetë Marine Le Pen për të fituar presidencën franceze në vitin 2027.

“Mund të themi me qartësi se detoksifikimi i Tubimit Komvëtar po arrin në fazat e tij përfundimtare,” tha Bruno Cautrès, një analist politik me institutet Sciences Po.

“Ata fituan zgjedhjet evropiane tre herë radhazi dhe Marine Le Pen dy herë kaloi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Tani, nëse ata fitojnë zgjedhjet e dyta më të rëndësishme të Francës [zgjedhjet parlamentare], ata janë bërë kryesorët,” shtoi ai.

Sipas analizave nga instituti i sondazheve Ipsos, rezultatet e parashikuara të partisë së Le Pen e vendosin atë në kufijtë e prekjes së pushtetit. Partia e saj mori 33.2 për qind të votave në raundin e parë, që do të thotë se e djathta ekstreme mund të marrë midis 230-280 vende në parlament, sipas institutit.

Me pragun për të komanduar një shumicë absolute në parlament që është 289 vende, e djathta ekstreme madje mund të jetë në gjendje të formojë një qeveri brenda një jave, me presidentin 28-vjeçar të Tubimit Kombëtar Jordan Bardella si kryeministër.

Pyetja tani është nëse ndonjë gjë, apo dikush, mund ta ndalojë atë.

Sa i afrohet Le Pen një mazhorance absolute varet nga mënyra sesi partitë e tjera dhe Macron reagojnë ndaj fitores së saj të fortë. A i lënë mënjanë dallimet e tyre dhe a bashkohen për të mposhtur të djathtën ekstreme?

Zgjedhjet parlamentare janë një proces kompleks, me dy raunde, në të cilin dy kandidatët që marrin më shumë vota në raundin e parë kalojnë në një raund të dytë. Por në këto zgjedhje vendimtare pjesëmarrja ishte e lartë dhe kjo do të thoshte se në rreth 315 zona zgjedhore një kandidat i tretë, shpesh dikush nga koalicioni “Ansambli” i Macron, kualifikohej gjithashtu për në raundin e dytë.

Të dielën në mbrëmje, aleatët e Macron po përpiqeshin të gjenin se çfarë të bënin.

Kandidatët që janë kualifikuar për në raundin e dytë të votimit kanë kohë deri të martën në mbrëmje për të vendosur nëse do të tërhiqen nga gara apo do të vazhdojnë të luftojnë. Të dielën mbrëma, u duk se në shumë zona zgjedhore kandidati i tretë më i mirë po tërhiqej për të ndihmuar një kundërshtar që të mposhtte Tubimin Kombëtar të Le Pen.

Kjo do të thotë se parashikimet se sa ulëse në parlament mund të marrë e djathta ekstreme ishin “tashmë të vjetruara” pasi ato bazoheshin në garat e raundit të dytë përpara se kandidatët të fillonin të tërhiqeshin, sipas Brice Teinturier, drejtor i institutit të sondazheve Ipsos.

“RN” e Le Pen ka thënë se nuk do të përpiqet të formojë një qeveri nëse nuk fiton një shumicë absolute në parlament.

Të dielën, Le Pen këmbënguli se Bardella do të bëhej kryeministër vetëm nëse RN do të kishte shumicën e parlamentit. Tradicionalisht, presidenti francez emëron një kryeministër nga grupi më i madh parlamentar në Asamblenë Kombëtare.

“Pa një shumicë të qartë, do të ketë gjithmonë feudalizma të vjetër, inerci të qëllimshme dhe manovra politike që do të shkatërrojnë alternativën e vërtetë që i nevojitet vendit,” tha Le Pen gjatë një aktiviteti të fushatës në qytetin lindor Hénin-Beaumont.

Për të arritur një shumicë absolute, Le Pen do të duhet të arrijë një marrëveshje me deputetët e partisë konservatore Les Républicains. Por aleanca parazgjedhore e Le Pen me liderin e Les Républicains Eric Ciotti shkaktoi një reagim të ashpër nga peshat e rënda të partisë.

Udhëheqësit e Les Républicains, partia historike e konservatorizmit francez, përjashtuan me votë presidentin e tyre, Éric Ciotti, i cili u përpoq të nënshkruante një marrëveshje me Tubimin Kombëtar për këto zgjedhje.

Kështu që nëse një koalicion i Tubimit Kombëtar me Les Républicains nuk arrihet, pra nëse zgjedhjet sjellin një parlament të ndarë, projekti politik i Macron mund të marrë pak më shumë kohë për të vdekur.

Tani për tani, parashikimet i japin RN-së nga 260 në 310 vende. Duke qenë se 289 vende është një shumicë absolute, padyshim që ka ende shumë për të luajtur.

Vështirësia tjetër për kundërshtarët e RN është numri i lartë i të ashtuquajturave votave trekëndore në raundin e dytë – me fjalë të tjera, zona ku do të përballen jo dy, por tre kandidatë të dielën e ardhshme. Zakonisht një nga qendra, e djathta ekstreme dhe e majta.

Arsyeja e numrit të lartë të trekëndëshave është pjesëmarrja e lartë e votuesve, e cila në vetvete është rezultat i aksioneve të larta.

Edhe për shkak se fushata e rrufeshme e bëri të pamundur që partitë e vogla të bashkoheshin, kështu që vota është përqendruar në të tre blloqet.

Me sa duket, nëse ka tre parti që konkurrojnë në një zonë zgjedhore, është më e vështirë që vota kundër RN të bashkohet. Në shumë vende do të ketë kandidatë të qendrës ose të majtë që do të qëndrojnë mënjanë – por jo në të gjitha.

Në përgjithësi, vendi duket se është i mbërthyer tani nga një ndjenjë e pashmangshmërisë së një fitoreje të ekstremit të djathtë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb