Lideri konservator dhe kandidati kryesor për kancelar të Gjermanisë, Friedrich Merz, ka përsëritur kategorikisht se nuk do të ketë asnjë bashkëpunim mes një qeverie të udhëhequr prej tij dhe partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD).
“E kam thënë qartë dhe prerazi shumë herë: nuk do të ketë asnjë bashkëpunim nga ne me AfD”, deklaroi Merz, i cili drejton bllokun konservator të përbërë nga Kristian Demokratët (CDU) dhe partia simotër bavareze, Unioni Kristian Social (CSU).
Duke folur të dielën gjatë një inspektimi në sallën ku do të mbahet kongresi i partisë në Berlin, ai theksoi se konservatorët do të luftojnë për shumicën në “qendrën e gjerë të spektrit demokratik”.
I pyetur nëse do të pranonte votat e AfD-së për të siguruar maxhorancën, përgjigjja e tij ishte e prerë: “Jo”.
Merz nënvizoi se Bundestagu i ardhshëm do të ketë kushte të reja shumice dhe se “situata aktuale e paqartë” vjen si pasojë e shpërbërjes së koalicionit të qendrës së majtë. “Kjo fazë do të përfundojë me zgjedhjet”, tha ai, duke iu referuar zgjedhjeve të Bundestagut të planifikuara për 23 shkurt.
Në vijim, ai theksoi se qeveria e ardhshme duhet të marrë vendime kyçe në politikën ekonomike dhe atë të migracionit, duke riafirmuar qëndrimin e tij kundër çdo bashkëpunimi me AfD.
“Nuk kemi bashkëpunuar kurrë me ta dhe nuk do ta bëjmë. Askush nuk duhet të ketë asnjë dyshim për këtë. Nuk ndodh me ne, nuk ndodh me mua”, përfundoi Merz.