ATHINE- Partia SYRIZA, e ish-kryeministrit Aleksis Cipras ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën sot në Greqi. Rreth 10 milionë grekë me të drejtë vote, u thirrën sot për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Zgjedhësit iu drejtuan kutive të votimit që prej orës 7 të mëngjesit, deri në orën 19:00, kur kutitë e votimit u mbyllën zyrtarisht.

Sipas të dhënave zyrtare për 64.94%të votave, SYRIZA kryeson me 35.44% të votave. Në bazë të këtyre të dhënave, Demokracia e Re renditet pas SYRIZA-s me 28.05% të votave, më pas Agimi i Artë me 7.12%, i ndjekur nga PASOK 6.41% dhe Partia Komuniste 5.49 % të votave.

Nëse ky do të jetë rezultati përfundimtar, Syriza do të ketë 144 nga 300 deputetët e parlamentit. Kjo do të thotë se nuk do të ketë maxhorancën e nevojshme për të formuar qeverinë. Njoftimet e fundit tregojnë se SYRIZA po përpiqet të krijojë një koalicion me grupimet e pavarura të djathta.

Kreu i SYRIZA-s, Aleksis Cipras tha se ky mandat do t’i japë fund korrupsionit në Greqi. “Fitorja i përket gjithë popullit grek. Nga nesër nisim punën për të vendosur drejtësi”- tha Cipras.

Udhëheqësi i partisë konservatore greke Demokracia e Re, pranoi humbjen e zgjedhjeve dhe përgëzoi ish-kryeministrin Alexis Cipras për fitoren, si dhe bëri thirrje për të vepruar sa më shpejt për formimin e qeverisë së re. Deklarata u bë vetëm një orë pas mbylljes së kutive të votimit.
REZULTATET SIPAS EXIT POLL
Sipas Exit Poll-eve të para, partia Syriza kryeson me një avantazh të lehtë me 31-35% të votave, ndërsa Demokracia e Re rezulton të ketë marrë nga 29-33% të votave.

Exit Poll-et tregojnë se Agimi i Artë ka marrë 6.5-8% të votave; Pasok ka marrë 5.6-7.6%; Partia Komuniste 5.4-7.4%; Lumi 4-6%; Unioni i Qendrës 2.5- 3.5%; Uniteti Popullor 2.7-3.7%; Grekët e Pavarur 3- 4%
CIPRAS: GREKËT DO TË ZGJEDHIN NJË QEVERI LUFTARAKE
Kryeministri në ikje, Aleksis Cipras theksoi sot se grekët do të zgjedhin një qeveri luftarake duke e rizgjedhur.

Lideri i SYRIZA-s, partia e parë e majtë radikale e ardhur në pushtet në Evropë, në muajin janar, i cili dha dorëheqjen në muajin gusht pasi humbi maxhorancën parlamentare, deklaroi sot se grekët do të marrin të ardhmen e tyre në dorë dhe do të vendosin tranzicionin drejt në epoke të re.

Cipras votoi në qendrën e tij të votimi në lagjen Kipseli, në Athinë, i veshur me këmishën tradicionale të bardhë.

Sipas tij, grekët do t’i japin një mandat të fortë për stabilitetin në qeverinë solide dhe që do të zgjasë katër vjet, për të cilën vendi ka nevojë.

Zgjedhjet në Greqi u vëzhguan me interes të madh nga jashtë Greqisë, sepse fituesi i tyre duhet të sigurojë ndërmarrjen e reformave të thella ekonomike, të domosdoshme për ndihmën prej 86 miliardë eurosh, që Cipras u detyrua të nënshkruante në gusht me partnerët e Athinës nga Eurozona.

Qeveria e re do të duhet të kryejë edhe rikapitalizimin e bankave të vendit dhe të vijojë me kontrollin e kapitalit të vendosur gjatë qershorit, në mënyrë që të shmanget një kolaps i sistemit financiar të vendit.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: