Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, paralajmëroi se këto ditë do të takohet me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të diskutuar mundësitë e bashkëqeverisjes. Në bazë të rezultateve preliminare nga zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, Vetëvendosje ka fituar numrin më të madh të votave, e pasuar me një diferencë të ngushë nga LDK-ja.


Numërimi i votave të rregullta përfundoi të martën, ndërsa votat me kusht, votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta nuk janë numëruar ende. “Në një garë tepër të ngushtë, 50:50, fituesi, LDK apo VV, do të dihet përfundimisht pasi të përfundojë numërimi i plotë i të gjitha votave. Këto ditë, së bashku me kandidaten tonë për kryeministre, Vjosa Osmani, do të takohemi me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti, për të vlerësuar procesin zgjedhor dhe mundësitë e bashkëqeverisjes”, shkroi Mustafa në një postim në Facebook.


“Do të vazhdojmë aty ku e kemi lënë para fillimit të procesit zgjedhor, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë të lirë në një proces demokratik zgjedhor, por edhe interesin e LDK-së”, tha Mustafa. Edhe zyrtarë të Vetëvendosjes kanë thënë se do të bisedojnë me LDK-në për mundësinë e marrëveshjes për koalicion.


Analistët parashikojnë negociata të vështira për formimin e qeverisë

Në zgjedhjet e 6 tetorit, Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka udhëhequr për 12 vjet, ka dalë e treta – gjithnjë sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Mustafa tha se qytetarët i “ndëshkuan ata që qeverisën keq”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb