Nga VALENTINA MADANI*

Demokratët kanë ende të papërfunduar procesin e zgjedhjeve të brendshme, që nisi një vit më parë. Procesi i gjatë la pa zgjedhur sekretarët e rinj në Tiranë dhe në degët e tjera të PD-së në mbarë vendin. Pikërisht për të plotësuar këtë proces zgjedhjesh, kreu demokrat Lulzim Basha mblodhi mbrëmë kryesinë e PD-së. Z.Basha thirri mbledhjen e kryesisë së kësaj force politike për të zgjedhur sekretarët e degëve lokale, të cilët ishin vakante që nga procesi i riorganizimit.

Kjo mbledhje miratoi vendimin për të emëruar përkatësisht 53 sekretarë në secilën nga degët e PD-së në rreth, si dhe 13 sekretarë të tjerë vetëm në Tiranë. Gjithashtu, PD-ja ka pa përfunduar edhe zgjedhjet për strukturat e reja të Forumit Rinor, ndërkohë që mësohet se ky proces do të përfshijë edhe ato degë ku ishin zhvilluar zgjedhjet e mëparshme. Gjithashtu, FRPD do të zgjedhë edhe kreun e ri të këtij forumi, zgjedhje e cila do të bëhet pasi të jenë mbyllur ato në rrethe. PD-ja nisi në janar të vitit të kaluar fazën e parë të procesit të zgjedhjeve të brendshme, duke filluar me bazën e partisë. Përgjatë pothuajse 10 muajve, demokratët u përfshinë në mbarë vendin nga ethet e zgjedhjes së forumeve të reja drejtuese, teksa Tiranë u trajtua me status të veçantë për shkak se ajo është dega më e madhe në vend. Demokratët tashmë kanë forumet e reja drejtuese të zgjedhura përmes një procesi votimi transparent. PD tashmë ka sekretarin e ri të përgjithshëm, Arben Ristanin, dy nënkryetarët Edi Paloka dhe Edmond Spaho, 22 shefa departamentesh dhe 6 sekretarë të rinj. Ajo që ngjalli interes ishte gara për postin e sekretarit të përgjithshëm të PD-së.

Për këtë post kandiduan Eduard Selami, Enkelejd Alibeaj dhe Arben Ristani, ku fitues rezultoi ky i fundit. Këshilli Kombëtar i PD ia besuar votën Arben Ristanit për sekretar të përgjithshëm të kësaj partie. Me këto zgjedhje përfundoi edhe përtëritja e partisë më të madhe në opozitë, e cila u përfshi në një proces rigjenerimi pas humbjes fatale të 23 qershorit 2013. Z.Berisha, Topalli dhe Patozi kanë mbetur jashtë strukturave të reja të PD-së, pasi nuk u përfshinë në kryesinë e re partisë. Ridvan Bode do të qëndrojë brenda kryesisë për shkak se është nënkryetar i Komisionit të Ekonomisë, por s’ka asnjë post drejtues, ndonëse ka qenë numri 2 i Partisë Demokratike, pasi ka luajtur rolin e sekretarit të përgjithshëm në këtë parti, i zgjedhur për 4 herë radhazi. Përmes këtij procesi zgjedhor, PD-ja ndërhyri në statutin e saj duke bërë ndryshime thelbësore. Përmes ndërhyrjes në dokumentin themeltar, PD-ja u dha më shumë kompetenca degëve të saj në rrethe, duke i dhënë përparësi kryesore anëtarësisë së saj, e cila ka më shumë pushtet se ç’kishte më parë në parti.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: