TIRANE – Deputeti Eduart Ndocaj do të kandidojë për postin e kryetarit të Partisë Socialiste. Në Kongresin e PS-së, që pritet të zhvillohet më 19 mars, deputeti Ndocaj do të jetë përballë kryetarit aktual Edi Rama, për të garuar për postin e kryetarit të socialistëve.

Burime për “News24” bëjnë të ditur se Ndocaj ka vendosur të garojë për postin e kryetarit të PS-së, me synimin për të mbajtur premtimet e bëra gjatë fushatës së 2013-ës.

Në një reagim në faqen e tij në “Facebook”, Ndocaj thekson se “qytetarët në këto tre muaj e kanë frymëzuar për të marrë përgjegjësi e iniciativa më të rëndësishme se sa ajo e mandatit të Deputetit”.
“Cdo angazhim i konfirmuar do të jetë serioz e do të shkojë deri në fund.”- thekson Ndocaj.

“Hyrja e statutit te PS fillon me nënvizimin se Demokracia e brendshme është shtylla kryesore e funksionimit të PS. Tashmë kemi një datë të caktuar në lidhje me zgjedhjen e Kryetarit të ri ose rikonfirmim. Kjo datë është 19 Mars. Gara demokratike dhe garimi janë pjesë të rëndësishme që e shëndoshin PS. Askush nuk duhet të ketë fobi për kandidimet, si dhe kushdo që mendon se mund të jap diçka të re mund e duhet të garojë për Kreun e PS”.

“Rrugëtimi i z. Ndocaj nga 2013 deri me sot ka qenë relativisht i gjatë dhe i ndryshëm nga të tjerët. Në rrugëtimin e tij z. Ndocaj ka parë shumë gjëra të papëlqyera të politikës shqiptare. Një fryme e re është në shërbim të një politike të re, e në shërbim të qytetarëve. PS mbetet partia më e madhe në vend me potenciale të jashtëzakonshme. Qytetarët në këto tre muaj e kanë frymëzuar z. Ndocaj për të marrë përgjegjësi e iniciativa më të rëndësishme se sa ajo e mandatit të Deputetit. Mandati i deputetit në një lojë politike të mbyllur është i pamjaftueshëm për të kontribuar në proceset e rinovimit të mendësisë politike e modelit politik shqiptare. Cdo angazhim i konfirmuar nga Ndocaj do të jetë serioz e do të shkoj deri në fund.”- thuhet në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të deputetit Ndocaj.

Pak ditë më parë, edhe deputeti Ben Blushi deklaroi se do të paraqitet me një platformë të tijën politike në Kongresin e Partisë Socialiste, që do të mbahet më 19 mars, duke lënë të hapur kështu kandidimin për kryetar përballë Edi Ramës.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: