Kutitë e votimit për zgjedhjet brenda Partisë socialiste në Durrës janë hapur prej mëngjesit të sotëm në një klimë interesi të madh nga anëtarësia e majtë.


Deri në orën 13 e 30 pjesëmarrja në votime ka qenë mbi 50% e 4500 anëtarëve socialistë që votojnë për 30 delegatët e kongresit, 15 meshkuj e 15 femra. Procesi i votimit pritet të mbyllet në orën 16:00, ndërsa asnjë prej socialistëve nuk ka pasur të drejtë të prononcohet në media.


30 delegatët e përzgjedhur nga anëtarësia socialiste për në kongresin e PS, do të kenë mundësi që të zgjedhin kryetarin e PSSH-së, megjithëse Edi Rama nuk i ka hapur zgjedhjet brenda partisë.


Zgjedhjet brenda partisë janë hapur vetëm për krerët e degëve lokalë, që pritet të mbyllen deri në mes të muajit dhjetor. Ristrukturimi i brendshëm i partisë finalizohet me zgjedhjen e kryetarëve të PS në rrethe.

Në Durrës të drejtën e votës për të zgjedhur kreun e PS e kanë rreth 400 socialistë, midis tyre të zgjedhurit nga kongresi, të zgjedhurit e Asamblesë, anëtarët e Këshillit bashkiak dhe deputetët e qarkut. Janë rreth 400 socialistë të këtyre strukturave që në zgjedhjet e pas pak javëve do të votojnë për kreun e ri të PS.

Në garë janë kreu aktual Luan Zaza dhe Ardit Kërtusha. Organizatat socialiste në Durrës në masë të madhe deri tani kanë propozuar kreun aktual, Luan Zaza, ndërsa vetëm 3 organizata kanë propozuar Ardit Kërtushën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb