Papa Françesku kritikoi të premten Donald Trump për planin e tij për të dëbuar miliona emigrantë dhe Kamala Harris për qëndrimin e saj në mbështetje të të drejtave të abortit.

I pyetur në lidhje me zgjedhjet presidenciale në SHBA gjatë fluturimit të tij nga Singapori për në Romë, Papa tha se mos mirëpritja e emigrantëve është një mëkat “i rëndë” dhe e krahasoi abortin me një “vrasje”.

Ai tha se katolikët amerikanë do të duhet të “zgjedhin të keqen më të vogël” kur të votojnë në nëntor.

Françesku po fliste në një konferencë shtypi me gazetarët pas një turneu 12-ditor nëpër Azinë juglindore dhe Oqeani. Megjithëse Papa nuk përdori emrat e Trump dhe Harris, ai iu referua në mënyrë specifike politikave dhe gjinive të tyre. Pavarësisht se i kritikoi të dy kandidatët, ai tha se katolikët duhet të votojnë.

“Të mos votohet është e shëmtuar,” tha pontifi 87-vjeçar, duke shtuar “nuk është mirë, ju duhet të votoni”.

“Ju duhet të zgjidhni të keqen më të vogël”, vijoi ai. “Kush është e keqja më e vogël? Ajo zonjë apo ai zotëria? Nuk e di. Të gjithë, në ndërgjegje, [duhet] të mendojnë dhe ta bëjnë këtë”, tha Papa Françesku.

Katolikët amerikanë, që numërojnë afërsisht 52 milionë në mbarë vendin, shpesh shihen si votues të rëndësishëm. Në disa shtete të fushëbetejës, përfshirë Pensilvaninë dhe Wisconsin, më shumë se 20% e të rriturve janë katolikë. Françesku, udhëheqësi i rreth 1.4 miliardë katolikëve në mbarë botën, zakonisht është i kujdesshëm në lidhje me peshimin e zgjedhjeve politike kombëtare.

Por ai shpesh kritikon abortin, i cili është i ndaluar nga mësimet katolike, me terma të mprehtë. Ai gjithashtu ka kritikuar më parë retorikën kundër emigrantëve të Trump.

Gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, ai tha se Trump nuk ishte “i krishterë” në pikëpamjet e tij. Të premten, Françesku tha se politikat e të dy kandidatëve ishin “kundër jetës”.

Trump ka premtuar se do të godasë emigracionin e paligjshëm dhe do të dëbojë miliona emigrantë tashmë në SHBA nëse zgjidhet për një mandat të dytë si president. Ai gjithashtu ka refuzuar të përjashtojë ndërtimin e kampeve të paraburgimit për emigrantët pa dokumente.

Harris ka premtuar të nënshkruajë çdo legjislacion të miratuar nga Kongresi për të rivendosur mbrojtjen kombëtare për aksesin ndaj abortit, të cilat u hodhën poshtë nga gjykata supreme amerikane në vendimin e saj Dobbs të vitit 2022.

Papa e quajti emigracionin “një të drejtë”, duke përmendur pasazhe biblike që i quajnë jetimët, të vejat dhe të huajt tre lloje njerëzish për të cilët shoqëria duhet të kujdeset. “Të mos pranosh emigrantët është mëkat”, tha Papa.

Françesku tha se aborti “po vret një qenie njerëzore”. Ai tha se nuk mund të kishte justifikime për një abort. “Është një atentat,” tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb