Nga: VALENTINA MADANI

TIRANE– Misioni i OSBE/ODI HR-it publikoi dje, raportin e parë të ndërmjetëm për periudhën 15 maj-1 qershor, ku ngre pikëpyetje për paanshmërinë e KQZ-së. Raporti ngre shqetësim edhe për përdorimin e aseteve të qeverisë për fushatë, si edhe akuzat personale që kanë dominuar deri më tani fushatën, e cila sipas misionit, ka nisur para kohe, në shkelje të ligjit. Ajo që bie në sy është se në aspektin organizativ deri në këtë periudhë nuk evidentohen probleme, por problematike mbeten akuzat politike, fillimi i parakohshëm i fushatës zgjedhore dhe keqpërdorimi i burimeve shtetërore.

Në raportin me 8 faqe, misioni i OSBE/ODIHRit rendit disa problem të evidentuara, që lidhen më partitë politike në pjesën më të madhe dhe sjelljen e tyre. Fillimisht, raporti evidenton se fushata zgjedhore ka filluar para kohe, para datës 22 maj që ishte afati zyrtar, ndërsa përmenden edhe raste të përdorimit të resurseve shtetërore për fushatë. Një problem tjetër i evidentuar është financimi i fushatës nga kandidatët që garojnë për këto zgjedhje, ku thuhet se ka hapësira ligjore në raportimin periodik të shpenzimeve.

“Partitë politike mund të financojnë fushatat e tyre, me fondet publike donacione e kredi. Por kandidatët e pavarur nuk kanë mundësi të kenë akses në fondet publike. Të gjitha partitë dhe kandidatët e pavarur duhet të publikojnë burimet financiare dhe shpenzimet e fushatës, megjithatë ligji nuk parashikon raportimin periodik të shpenzimeve të fushatës. Vetëm një kandidat i pavarur deri më ka publikuar në adresën në internet donacionet financiare të fushatës”, – thuhet në raport.

Në raportin e parë të ndërmjetëm për periudhën 15 maj-1 qershor, OSBE-ODIHR vlerëson se: “Të pyetur nga OSBE/ODIHR, disa persona kanë ngritur shqetësime rreth paanshmërisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në disa nga 90 Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor ka pasur pengesa për zhvillimin e punës”, – thuhet ne raport.

Misioni ngre shqetësimin për përdorimin e aseteve të qeverisë në funksion të fushatës, siç është rasti i shpërndarjes së lejeve të legalizimit nga PS e LSI.

“Janë ngritur akuza për presion ndaj punonjësve të administratës dhe keqpërdorimin e burimeve të shtetit. Figura kryesore të Aleancës për Shqipërinë Europiane kanë shpërndarë certifikata legalizimi gjatë disa prej takimeve zgjedhore”, – nënvizon raporti.

Vëzhguesit ndalen edhe te rritja fiktive e numrit të zgjedhësve. “Prokuroritë lokale kanë hapur çështje për hetimin e rritjes së listave zgjedhore në dy bashki të marra në pyetje nga personeli i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, – vijon raporti. Raporti vë theksin te nisja, në shkelje të ligjit, e fushatës zgjedhore para datës 22 maj.

Fushata cilësohet e qetë, por nënvizohet se është fokusuar në akuza personale, veçanërisht nga partitë e mëdha. Sipas raportit, disa rekomandime të OSBE/ODIHR- it vijojnë të mbeten të paadresuara, përfshirë masat për të rritur paanshmërinë e komisionerëve zgjedhorë dhe transparencën e financimit të fushatës. Vëzhguesit veçojnë në raport edhe faktin se, pavarësisht se zgjedhjet e 21 qershorit janë zgjedhje lokale, fushata është dominuar nga liderët kryesorë politikë.

“Fokusi i fushatës është përqendruar rreth çështjeve kombëtare, si rritja ekonomike, përmirësimi i sistemit shëndetësor a arsimor, ulja e taksave për biznesin e vogël. PS-ja është fokusuar veçanërisht në nveodijë për të luftuar korrupsionin, ndërsa PD-ja në largimin e personave me rekorde kriminale nga të gjitha nivelet”, thuhet në raport. Raporti nënvizon se partitë e mëdha e kanë fokusuar fushatën në akuza personale dhe përpjekje për të diskretituar kandidatët kundërshtarë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb