Fushata e kandidates republikane Nikki Haley do të nisë një blerje të madhe reklamash në shtetet që do të mbajnë zgjedhjet paraprake më 5 mars, tha në një konferencë shtypi të premten menaxherja e fushatës së saj Betsy Ankney. Ky është një sinjal se zonja Haley planifikon të vazhdojë fushatën për të marrë emërimin e Partisë Republikane si kandidate e saj për president në zgjedhjet e nëntorit edhe nëse ajo humbet me një diferencë të madhe në Karolinën e Jugut.

Zonja Ankney nuk zbuloi asnjë detaj të blerjes së reklamave. Pesëmbëdhjetë shtete dhe një territor i Shteteve të Bashkuara do të zhvillojnë zgjedhjet paraprake të partisë republikane të martën më 5 mars, që njihet si “Super e Marta”. Nikki Haley tashmë është zotuar se do të luftojë pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve paraprake në Karolinën e Jugut që mbahen të shtunën. Sipas anketimeve, ish Presidenti Donald Trump kryeson në këtë shtet me një epërsi prej mbi 30 për qind.

Zonja Ankney pranoi se Nikki Haley përballet me një mision të vështirë për të tejkaluar zotin Trumpin, i cili ka një avantazh prej 60 pikësh në shumicën e anketimeve në vend. Ish Presidenti Trump tashmë i ka fituar zgjedhjet e mbajtura në Ajova dhe Nju Hempshër. Zonja Haley dhe zoti Trump bënë fushatë në Karolinën e Jugut një ditë para zgjedhjeve paraprake të së shtunës në këtë shtet, në të cilin Nikki Haley ka mbajtur postin e guvernatores.

Zonja Haley bëri fushatë në qytetin e Monks Korner, ndërsa ish Presidenti Trump në qytetin Kolumbia të Karolinës së Jugut./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: