TIRANE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) regjistroi të mërkurën 6 parti politike si subjekte zgjedhore që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.

Me votat e të gjithë anëtarëve, KQZ miratoi regjistrimin e: Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, me kryetar Shpëtim Idrizin dhe shkronja nistore PDIU; partinë Aleanca Demokratike, me kryetar Eduard Abazi dhe shkronja nistore AD; partinë Personat me Aftësi të Kufizuar me kryetar Afrim Jeshili dhe shkronja nistore, PAK; partinë e Unitetit Kombëtar me kryetar Idajet Beqiri dhe gërma nistore PUK; Partinë Socialiste të Moderuar me kryetar Gjergji Koja dhe shkronja nistore PSM; dhe partinë Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet me kryetar Gaqo Apostoli dhe shkronja nistore, ADS.

Në nisje të mbledhjes së sotme përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, u ankua ndaj kryetarit të KQZ-së, Denar Biba, lidhur me trajtimin që ky ky institucion po i bën çështjeve të dekriminalizimit.

“KQZ është në shmangie të këtij detyrimi ligjor. Përcjell këtu shqetësimin e PD-së se ju po i trajtoni çështjet e dekriminalizimit sikur i përkasin vetëm KQZ-së, por ky është një trajtim i gabuar. Nuk janë njësoj humbja e mandateve të të zgjedhurve me dietat e shoferëve”, u shpreh Kaso.

Në përgjigje të shqetësimit të përfaqësuesit të opozitës, kryetari i KQZ-së, Biba siguroi se interesimin e drejtpërdrejtë të PD-së për dekriminalizimin e ka ndarë dhe me ndërkombëtarët.

“Nuk do të ketë problematika për këtë çështje”, tha ai.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: