Qytetaret e Bashkimit Europian që jetojnë dhe punojnë në Britaninë e Madhe janë shprehur të zhgënjyer sepse nuk kanë mundur të votojnë në zgjedhjet për Parlamentin Europian. Komisioni Zgjedhor tha se “njoftimi shumë i shkurtër” nga qeveria për pjesëmarrjen e Mbretërisë së Bashkuar në zgjedhje kishte ndikuar në këtë proces. Qytetarët e BE-së mund të votojnë në vendin ku jetojnë, duke u regjistruar për të votuar dhe duke plotësuar një formular UC1.

Por shumë prej tyre u ankuan se e kishin marrë formularin shumë vonë duke mos u përpunuar në kohë nga autoritetet e tyre lokale. Një grupim i fushatës tha se mijëra njerëz janë prekur nga ky problem. Për të marrë pjesë në zgjedhjet evropiane në Mbretërinë e Bashkuar, qytetarët e BE-së duhet të kishin kthyer një formular UC1 deri në 7 maj tek qendrat e tyre lokale, duke deklaruar se nuk do të votonin në një shtet tjetër anëtar të BE=së. Qytetarët e Irlandës, Maltës ose Qipros kanë të drejtë të votojnë në Mbretërinë e Bashkuar për zgjedhjet evropiane pa pasur nevojë të bëjnë këtë deklaratë me shkrim.

Shumë njerëz reaguan në rrjetin social Twitter duke thënë se nuk e kishin marrë në kohë këtë formular ndërsa të tjerë u shprehën se nuk kishin asnjë informacion mbi këtë procedure. Me tu hapur qendrat e votimit në Britaninë e Madhe, nisi të qarkullojë hashtagu në Twitter #deniedmyvote (u mohua e drejta e votës) dhe se qytetarët europianë të shtetësisë jo britanike nuk ishin lejuar të votonin.

Shtetasit gjermanë Kat Sellner dhe Moritz Valero thanë se ata ishin të tronditur kur kishin marrë si përgjigje në qendrat e votimit se emrat e tyre nuk figuronin të regjistruar.
“Unë dua që zëri im të dëgjohet përmes votimit. Ata janë duke na hequr të drejtat tona themelore dhe kjo është e papranueshme”, u shpreh për mediat Angleze Valero i cili jeton në Britaninë e madhe prej pesë vitesh.

Grupimi “The3Million” që bën fushatë në emër të qytetarëve të BE që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, thanë se ishte kontaktuar drejtpërdrejt nga qindra njerëz që ishin prekur nga ky problem duke shprehur shqetësimin se qytetarëve jo britanikë u ishte mohuar e drejta për të votuar. Ky grupim njoftoi nisjen e një hetimi për këtë çështje.

Britania e madhe ishte vendi i parë që votoi në zgjedhjet për Parlamentin Europian më datë 23 maj së bashku me Holandën. Ndërsa sot rradhën për të votuar e ka Irlanda dhe Republika Ceke. Rezultatet për çdo vend të BE-së do të dalin mbrëmjen e 26 majit pasi qendra e fundit e votimit të jetë e mbyllur. Parlamenti i BE-së ka 751 vende. Gjermania ka numrin më të madh me 96 eurodeputetë ndërsa Malta ka numrin më të vogël, gjashtë eurodeputetë, minimumi që merr çdo shtet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb