TIRANË

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka komentuar zgjedhjet parlamentare dhe rezultatet e tyre. Në një postim në “Facebook”, Balla shkruan se zgjedhjet ishin dëshmi e rëndësisë që projekti Europian vazhdon të gëzojë tek qytetarët europianë.

Sipas Ballës, qytetarët e BE i dhanë partive pro-europiane një shumicë të cilësuar krahasuar me euro-skeptikët.

“Kjo na bën të ndihemi të bindur se Parlamenti i ri Europian do të ruajë të njëjtën mbështetje dhe qasje pozitive në pesë vjeçarin e ardhshëm vis-à-vis politikës së zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor”, shprehet Balla.

POSTIMI I BALLËS
Zgjedhjet Europiane të përfunduara dje në të 28-të vendet anëtare të BE ishin dëshmi e rëndësisë që projekti Europian vazhdon të gëzojë tek qytetarët europianë. Rritja e pjesëmarrjes, më e larta e këtyre dy dekadave të fundit, është provë e qartë e shpresës dhe besimit në projektin europian, pavarësisht rritjes në mënyrë të ndjeshme të euro-skepticizmit dhe populizmit.
Rezultatet e zgjedhjeve konfirmuan si fituese nevojën për një qasje tërësisht pro-aktive në mbrojtje të mjedisit, forcimit të demokracisë dhe parimeve të shtetit të së drejtës, në respekt të plotë të të drejtave të njeriut.
Qytetarët e BE i dhanë partive pro-europiane një shumicë të cilësuar krahasuar me euro-skeptikët. Kjo na bën të ndihemi të bindur se Parlamenti i ri Europian do të ruajë të njëjtën mbështetje dhe qasje pozitive në pesë vjeçarin e ardhshëm vis-à-vis politikës së zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Si Bashkë-Kryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri mezi pres të vijojmë punën me kolegët e Parlamentit Europian të rizgjedhur apo të zgjedhur për herë të parë, duke e konsideruar së bashku vitin 2019 vitin historik të fillimit të bisedimeve për anëtarësim mes Shqipërisë dhe BE-së.
Zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri, edhe pse vendore, do të jenë gjithashtu një hap i rëndësishëm në rrugën e forcimit dhe respektimit të demokracisë dhe funksionimit të shtetit ligjor.

  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb