Të dielën që shkoi, 471 milionë qytetarë të Evropës së Bashkuar zgjodhën 751 anëtarë të Parlamentit Evropian. Ky parlament nuk miraton ligje për të qeverisur secilin vend anëtar të Bashkimit Evropian më vete, por ligje për të qeverisur arkën e përbashkët nëpërmjet qeverisë së BE-së, Komisionit Evropian. Zgjedhjet parlamentare të BE-së shihen nga të gjithë në komunitetin e madh evropian si pasqyrë ose sprovë për zgjedhjet e përgjithshme të ardhshme të secilit vend. Ndryshe nga shumë frikëra të atyre që e duan Europën të qëndrojë e bashkuar, siç është, madje edhe të zgjerohet akoma më shumë(dhe janë shumica), koalicioni i partive pro BE-së jo vetëm që nuk u mpak, por është zgjeruar.


Pra, nga tkurrja e socialdemokratëve gjermanë(aleatë të Merkel) dhe e vetë kristian-demokratëve të Anxhela Merkel kanë përfituar të gjelbrit. Këta janë akoma dhe më entuziastë të zgjerimit të komunitetit. Mund të jetë fshikullim për Merkelin që po paguan faturën e papërballueshme si ekonomike dhe sociale të pranimit të 2 milionë refugjatëve sirianë. Por ky është lajm i mirë për Shqipërinë. Dhe Merkel ndoshta e ka marrë mesazhin që në koalicionin e madh të saj (në gjermanisht “die Grosse Koalition”) të përfshijë edhe të gjelbrit. Ndërkohë votuesit evropianë ditën të frenojnë populistët dhe ekstremistët, si të djathtë dhe të majtë. Një vend si Holanda, politikanët e së cilës në një masë të konsiderueshme u shprehen jo vetëm kundër hapjes së negociatave me vendin tonë(e quanin të parakohshme), por  miratuan edhe një rezolutë në parlamentin e tyre për të kthyer regjimin e vizave të hyrjes me Shqipërinë, mendohej të ishte kampioni i tkurrjes së BE-së. Mirëpo kjo nuk ndodhi. Qytetarët e thjeshtë holandezë nuk e miratuan këtë lojë populiste.


Partia e ekstremit të djathtë në këtë vend, që aq shumë na ka sulmuar ne shqiptarët, nuk arriti të fitojë. Edhe pse shumë e konsideronin jo vetëm si triumfuesen, por edhe diktuesen e axhendës politike në Holandë. Në Francë, parti e parë është Fronti Kombëtar i  ekstremistes së djathtë Marine Le Pen, me një eurodeputet më shumë se  Lëvizja “Marcher(në frëngjisht Marsho”) e Presidentit Makron. Mirëpo Makron ka rreth vetes të gjelbërit francezë, që kanë avancuar fort dhe janë renditur partia e tretë ne vend. Dhe kampioni i zgjerimit të BE-së Presidenti Francez, i cili deri tani ka frenuar (edhe në rastin e Shqipërisë për t’ia dhënë dritën jeshile çeljes së bisedimeve që më 28 qershor të vitit të kaluar), nga frika se mos humbte vota djathtas, tani duhet të jetë i qetë. Ato vota i ka humbur edhe pa na dhënë në dritën jeshile. Makron duhet të lëvizë shpejt dhe të kërkojë aleancë majtas, pra me të gjelbërit. Një aleancë që është e natyrshme për synimet e tij për forcimin dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian.


Në Austri, një vend me interesa të gjera dhe shumë ndikues për Shqipërinë, forcat e ekstremit të djathtë, që dolën faktikisht edhe filoruse, janë dërrmuar keqazi. Kristiandemokratët e kancelarit Kurz dhe eurokomisionerit për zgjerimin Hahn janë renditur të parët, ndërkohë që parti e dytë janë socialdemokratët. Ekstremistët janë renditur të tretët. Në Spanjë fituan fort socialistët e kryeministrit Sanches. Pavarësisht avancimit të së djathtës në Itali dhe Greqi, në tërësi, Parlamenti Europian nuk ka rënë në duart e grupeve ekstremiste të djathta. Me këto zgjedhje, Europa e Bashkuar është gjithnjë e më shumë realisht pranë nesh.

Etiketa: