Komisioni Qendror i Zgjedhjeve regjistroi sot koalicionin “Shpresa për Ndryshim” (SHN), si subjekt pjesëmarrës në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të 30 qershorit.

Koalicioni opozitar “Shpresa për Ndryshim” përbëhet nga 7 parti politike dhe do të garojë për për 61 bashkitë e vendit.

Në këtë koalicion bëjnë pjesë Partia Aleanca Kuq e Zi; Partia Bashkimi Liberal Demokrat; Partia Demokracia e Re Europiane; Partia Aleanca Popullore; Partia Balli Kombëtar; Partia e Emigracionit Shqiptar dhe Partia Ora e Shqipërisë.

Ndërkohë Partia Socialiste ka nënshkruar marrëveshjen për koalicionin Aleanca për Shqipërinë Europiane, në përbërje të së cilit janë 21 parti politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e ditës së sotme shqyrtoi dhe miratoi projektvendimet për shpalljen e moszgjedhshmërisë së 8 kandidatëve në listat shumemërore të Partisë Demokratike: Qarku Vlorë, Florenc Spahiu, Qarku Dibër, Bashkim Murati. Në qarkun e Fierit, Endri Jaupaj, Fogert Hoxha dhe Elvis Fisku, Qarku Tiranë, Muharrem Doda dhe Qarku Elbasan, Loren Gllovina dhe Xhaferr Dushku.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb