Banorët e fshatit Gryksh në bashkinë e Peqinit janë të revoltuar me Autoritetin Rrugor Shqiptar, pasi ky institucion nuk ka parashikuar ndërtimin e një nënkalimi për të siguruar lidhjen e fshatit të tyre me segmentin e ri të autostradës që pritet të ndërtohet në këtë zonë.
Fshati Gryksh do të preket nga projekti i autostradës Elbasan-Lekaj, e cila është një investim i rëndësishëm, por deri tani sipas projektit paraprak nga ARRSH nuk është menduar një zgjidhje për komunikimin e banorëve me rrugën ekzistuese, e cila kalon mbi lumin Shkumbin përmes një ure. Kjo ka shqetësuar banorët, pasi mungesa e një nënkalimi pengon të gjitha shërbimet dhe komunikimin me pjesën tjetër të zonës i cili është jetik për ata.
Nëse nuk parashikohet një nënkalim, banorët do të kenë vështirësi të mëdha në qarkullim dhe të pamundur lidhjen me infrastrukturën tjetër duke krijuar një problem të thellë për jetesën dhe zhvillimin e zonës.
Protesta është mbështetur edhe nga Drejtuesi Politik i PD për Qarkun e Elbasanit Tomorr Alizoti i cili ka shprehur shqetësimin për izolimin e fshatit Gryksh i Madh që sjell zgjerimi i aksit Lekaj-Elbasan.
ARRSH dhe Qeveria duhet ta marrë seriozisht revoltën e banorëve të kësaj zone që presin zhvillim dhe jo izolimin.
Ndërkohë kreu i PD Peqin, Mustafa Pashja duke mbështetur protestën u bashkua me shqetësimin e tyre, një shqetësim ky mjaft i madh për 1200 banorë të cilëve u privohet e drejta për të marrë shërbimet e domosdoshme të përditshme që i kanë pronat dhe shtëpitë në anën tjetër të rrugës. Në këtë fshat duhet me patjetër një nënkalim për të bërë të mundur marrjen e këtyre shërbimeve.