Këtë të martë, FIFA ka ndarë çmimet e më të mirëve të 2024. Vinicius Junior u shpall lojtari më i mirë i vitit. Sulmuesi ndihmoi Real Madridin për arritjen e objektivave, teksa golat dhe asistet e tij kanë rezultuar vendimtar për Los Blancos.
Sa i takon trofeve individualë të tjerë, Alejandro Garnacho i Manchester United ka fituar çmimin ‘Puskas’, që jepet për golin më të bukur të vitit. Garnacho realizoi një gol të bukur ndaj Evertonit, duke mposhtur rivalitetin e Hassan Al Haydos, Terry Antonis, Yassine Benzia, Walter Bou, Michaell Chirinos dhe Federico Dimarco.
Portieri më i mirë u vlerësua Emiliano Martinez i Aston Villas, që fiton këtë çmim për herë të dytë në 3 vite.
Nuk kishte dyshime, numri një i stolit të Real Madrid, Carlo Ancelotti mori çmimin “trajneri më i mirë”. Ancelotti, dërgoi madrilenët drejt sukseseve të lavdishme në Spanjë dhe Champions.
Formacioni i vitit: Martinez; Karvahal, Rudiger, Dias, Saliba, Belingham, Rodri, Kros, Yamal, Haaland, Vinicius
Emma Hayes u zgjodh trajnerja më e mirë, ndërsa lojtarja spanjolle e Barcelonës, Aitana Bonmati u vlerësua si futbollistja më e mirë.
(J.S/BalkanWeb)